TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shkruar për BBC, nga Jenny Hill
Përgatiti: tpz.al
Angela Merkel e ka drejtuar Gjermaninë që prej vitit 2005. Asaj i është dashur të kalojë një krizë financiare botërore, trazirat e shkaktuara prej politikave të emigracionit dhe Brexit. Megjithatë, ajo është e destinuar të zgjidhet për herë të katërt si Kancelare e Gjermanisë.
Angela Merkel është një nga politikanet më të fuqishme të këtij shekulli. Fuqia e saj u evidentua gjatë menaxhimit të krizës ekonomike të Europës dhe prej rolit të saj si një ndërmjetëse mes Rusisë dhe Perëndimit. Merkel është shembëlltyra e stabilitetit në një botë të paqëndrueshme.
Merkelit i është dashur të planifikojë të ardhmen e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu i është dashur të gjejë aleatë të rinj pas zgjedhjes së Donald Trump dhe administratës së tij kaotike. Admiruesit e saj e etiketojnë si mbrojtësen e fundit të vlerave demokratike në Perëndim. Edhe pse mjaft e vlerësuar dhe adminiruar, Merkel ka patur edhe momentet e saj kritike, siç është kriza e Greqisë, politikat për refugjatët dhe politikat e mjedisit.
Sot ne dimë shumë pak për të. Edhe në vendin e saj, Merkel mbetet një figurë enigmatike. Kancelarja Gjermane e ruan privatësinë e saj në mënyrën më ekstreme. Familja, miqtë dhe stafi i saj janë mjaftë diskretë. Bashkëshorti i zonjës Merkel, Joachim Sauer, shfaqet rrallë në publik.
Për të kuptuar Merkelin, duhet fillimisht të kuptojmë si ajo është rritur dhe ka jetuar në Gjermaninë Lindore.

Shtëpia e saj e fëmijërisë në Templin, ende ekziston - është e madhe, e qetë, e lyer me ngjyra të lehta. Për të mbërritur në këtë shtëpi duhet të kaloni disa kopshte dhe komplekse shtëpish.
Strategjia politike e Merkel është e ngjashme me atë të një lojtari shahu, megjithatë Merkel është një politikane me shumë skrupuj. Shumë njerëz në Templin, menduan se kur Merkel u zgjodh Kancelare, ky qytet do të lulëzonte, por kjo nuk ndodhi. Siç na tregon Kryebashkiaku i këtij qyteti, Merkel nuk mund të angazhohej direkt për të ndihmuar qytetin nga vinte, sepse kjo do ta vinte në një pozitë të vështirë dhe do të konsiderohej e anshme.
Merkel ishte 35 vjeç kur ra Muri i Berlinit. Ajo kishte një edukim univesitar, ishte martuar dhe divorcuar. Pavarësisht jetës relativisht të lirë që bënte, nuk kishte mundësi të udhëtonte për shkak të regjimit komunist në Gjermaninë Lindore
.
Merkel kujton shpesh jetën e saj mbrapa "perdes së hekurt", dhe diskuton me shumë pasion çështjet e lirisë së individit. Pas zgjedhjes së Donald Trump, ajo u tmerrua nga plani i tij për të ngritur një mur me Meksikën. Merkel reagoi dhe i kujtoi Trump-it detyrën e tij për të ruajtur vlerat perëndimore - "demokracia, liria, respekti për sundimin e ligjit dhe dinjitetit njerëzor" pavarësisht "etnisë, gjinisë, orientimit seksual apo bindjeve politike".
Vajza nga Templin, pa dyshim u ndikua nga historia e trazuar e vendit të saj. Merkel nuk ishte mes atyre që rrëzuan Murin e Berlinit në Nëntor të vitit 1989, por në dekadat që pasuan, ishte zëri i saj - si udhëheqëse e Gjermanisë - që u dëgjua në mbarë botën .
Merkel ka një aftësi të jashtëzakonshme, për të mbajtur sekrete, një veti e domosdoshme gjatë fëmijërisë së saj në Gjermaninë Lindore. Ky është një fakt që mentori i Merkelit, Helmut Kohl e mësoi shumë vonë. Kur Kohl dhe disa persona në partinë e tij u përfshinë në një skandal me fondet e partisë, Merkel u distancua nga ai nëpërmjet një artikulli në gazetë. Kohl nuk e fali kurrë për këtë veprim të cilin e perceptoi si një tradhëti. Vite më vonë, e veja e tij u mundua ta ndalonte Merkelin të mbante fjalim në funeralin e Kohl.

Merkel, ndihmoi në rënien e Kohl, dhe që prej atij momenti, ideja dhe ambicia e saj për të marrë pushtetin morën udhë. Sapo partia e saj rifitoi popullaritet, Merkeli duhej thjesht të gjente guximin, për të bërë hapin e saj të madh drejt pushtetit. Gradualisht ajo ndryshoi, nga një vajzë, në një grua me kostum.
Shndërrimi i Merkel qe i madh. Në Gjermani, ajo filloi të quhej "mama", personaliteti i saj u kultivua më tej. Merkel ka arritur me karrieren e saj të thyejë shumë barriera. Gjinia e saj nuk ka qenë asnjëherë një çështje diskutimi. Ajo i ka kaluar të gjitha pengesat, që shpesh shoqërojnë gratë në nivele të larta drejtimi, edhe pse këto pengesa kanë qenë rrallë të reflektuara në retorikën politike të zonjës Merkel.
Dy vendimet kryesore të cilat e kanë përkufizuar politikën e Merkelit, janë; vendimi për ndalimin e energjisë bërthamore në vitin 2011, pas aksidentit në Fukushima, dhe hapja e dyerve për qindra mijëra refugjatë në vitin 2015. Të dyja këto vendime kanë patur kosto në popullaritetin dhe reputacionin e saj.
Për muaj të tërë, numri i refugjatëve që kërkonin azil në Europë u rrit, jo vetëm nga vendet ku zhvillohej luftë por edhe për shkak të varfërisë dhe papunësisë. Mijëra famijle u nisën të dëshpëruara drejt kufinjve të Europës. Shumë thonë se Merkel u trondit nga zbulimi i 71 kufomave të refugjatëve, brenda një kamioni në një autostradë të Austrisë. Merkel vendosi të bëjë një marrëveshje me qeverinë Austriake. Brenda pak orëve refugjatët u nisën drejt Gjermanisë. Merkel më pas u shpreh se veprimet e saj kishin ndalur një krizë humanitare.
Refugjatët u mirëpritën në shumë qytete të Gjermanisë. U organizuan koncerte, depot u mbushën me donacione ushqimesh dhe rrobash, dhe mijëra vullnetarë u bashkuan për të pritur refugjatët. Gjermania po merrte një reputacion të ri në arenën ndërkombëtare. Ndryshe nga imazhi i saj pas luftës së dytë botërore, apo nga arroganca që shpesh shfaqej ndaj vendeve të tjera të Bashkimit Europian, Gjermania në sytë e botës po merrte karakterin e një vendi më humanitar.
Megjithatë brenda Gjermanisë polemikat nuk vonuan të shfaqen. Popullariteti i Merkel filloi te binte, ndërkohë që partitë populiste po fitonin gjithmonë e më shumë terren. Pika e kthesës, ishte dita e vitit të ri, në 2015, kur një ngjarje e rëndë ndodhi në Cologne, qindra gra u sulmuan seksualisht nga grupe të ndryshëm burrash - kryesisht nga Afrika e veriut dhe Lindja e Mesme. Kjo ngjarje shokoi mbarë Gjermaninë. Për herë të parë, Merkeli ishte në një krizë të madhe politike. Ajo po shihej si një figurë e lodhur dhe e izoluar, madje edhe nga njerëzit e saj më besnikë.
Megjithatë, Merkel mbijetoi. Gradualisht qeveria e saj forcoi ligjet, duke e bërë më të thjeshtë deportimin e azilkërkuesve të cilët përfshiheshin në ngjarje kriminale, dhe gjithashtu duke siguruar statusin "vend i sigurtë", për vendet e Ballkanit, në mënyrë që qytetarët e këtyre vendeve të mos siguronin azil në Gjermani. Numri i refugjatëve që mbërrijnë në Gjermani është ulur. Marrëveshja që Merkel bëri me Turqinë ndihmoi për këtë gjë.
Në arenën ndërkombëtare Merkel ka një peshë të jashtëzakonshme. Pas dy ngjarjeve shokuese siç ishin Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump, Merkel ka nisur të kërkojë partnerë të rinj. Kjo gjë do të ndryshojë rolin e saj dhe të vendit të saj në mbarë botën. Në Maj të këtij viti, ajo paralajmëroi se Europa nuk do mund të mbështetet më vetëm tek aleatët e saj historik, Britania dhe SHBA-ja. "Koha kur ne vareshim totalisht nga të tjerët ka marrë fund. Ne Europianët duhet ta marrim fatin në duart tona" u shpreh ajo.
Një nga mardhëniet më interesante të Merkelit me liderët e vendeve të tjera, është ajo me Presidentin e Rusisë, Putin. Ata kanë respekt të madh për njëri tjetrin. Githashtu kanë një histori të përbashkët. Merkel u rrit në Gjermaninë Lindore, ku mësoi të flasë rusisht. Putin ishte një agjent i KGB-së i stacionuar në Dresden, në lindje, ku mësoi gjermanisht. Merkel ka meritën e marrëveshjeve të shumta të arritura me Rusinë, kryesisht lidhur me ngjarjet në Ukrainë. Kritikët e Merkel shprehen se marrëveshja e Minskut nuk është zbatuar tërësisht, megjithatë Merkeli pati një rol në evitimin e gjakëderdhjes.
Merkel ka 12 vjet që drejton Gjermaninë. Popullariteti i saj ka pësuar ulje dhe ngritje. Aktualisht, ajo ka një popullaritet rreth 46% në Gjermani, sipas ARD-së. Kjo vjen si rezultat i zotësisë por edhe fatit.
Që prej Brexit, dhe zgjedhjes së Trump si President i SHBA-së, Merkel për shumë votues shihet si një politikane që mund të ruajë stabilitetin, në një botë që e ka humbur atë. Ajo u mendua dhe priti gjatë përpara se të vendoste të rikandidonte, duke treguar dhe pranuar se ndihet e lodhur. Zonja Merkel, nuk ka një pasardhës. Nëse do të përdornim një frazë të vetë Merkelit, Gjermania ka mbetur "alternativlos" (pa një alternativë).
Në moshën 63 vjeçare, Merkel nuk ka asnjë rival, dhe gjendet në majën e karrierës së saj politike.
Shkruar për BBC nga Jenny Hill
Përgatiti: tpz.al