TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për herë të katërt Edi Rama dhe ministrat e tij kanë shkuar në Presidencë për të bërë betimin.
Kryeministri Edi Rama pasi bëri nënshkrimin, me dorën mbi kushtetutë u betua. Po ashtu, kreu i qeverisë do të ushtrojë edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual për Inteligjencën Artificiale Diella.
Më pas të gjithë ministrat me radhë bënë betimin mbi kushtetutë dhe morën dekretin nga presidenti Bajram Begaj.
Ky akt formal vjen pas miratimit të ndryshimeve në përbërjen e Këshillit të Ministrave, gjatë një seance parlamentare të mbajtur ditën e djeshme, e cila u karakterizua nga tensione dhe përplasje me opozitën.
Pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, ministrat e rinj pritet të nisin menjëherë ushtrimin e detyrës në postet e reja.
Ndryshimet në kabinet u propozuan nga Kryeministri Rama dhe u votuan në Kuvend mes polemikash politike dhe protestash verbale nga opozita parlamentare.
Seanca e së enjtes, e parashikuar si maratonë, u ndërpre për më pak se gjysmë ore për shkak të tensioneve. Shkak u bë fjala që kryeministri “i dha” ministres virtuale Diella, Maxhoranca nuk e toleroi sjelljen kaotike të deputetëve demokratë dhe, pas disa paralajmërimeve, kaloi në votim programin dhe kabinetin qeveritar.
PD kërkoi më vonë me një shkresë zyrtare në Kuvend anulimin e seancës plenare dhe përsëritjen e saj. Demokratët e konsideruan përdorimin e ministres virtuale nga ana e Ramës si veprim në kundërshtim me ligjin dhe si provokim ndaj opozitës. Ata argumentuan se sjellja e tyre nuk përbënte shkelje të etikës parlamentare, por ishte një formë reagimi e përdorur edhe në parlamente të tjera, duke sjellë si shembull një rast në Parlamentin Europian.


