AKTUALITET, 19 Shtator 2025, 09:43

VIDEO/ Operacioni: Akuzohen se rrëmbyen e mbytën me litar Renis Dobrën, publikohen pamjet kur RENEA arreston dy vëllezërit Bushgjoka

VIDEO/ Operacioni: Akuzohen se rrëmbyen e mbytën me litar Renis

Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Dobrës, janë arrestuar në një apartament tek kompleksi “Delijorgji” në Tiranë mëngjesin e sotëm (19 Shtator).

Dy vëllezërit u arrestuan gjatë operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, i cili u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.

Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, Fatjon Bushgjokajn dhe 55 vjeçarin Petrit Çakrri (të cilët janë arrestuar më parë) kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng 23-vjeçarin, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.

Krimi i rëndë ndodhi mëgjesin e 8 Korrikut në Burrel ku Renis Dobra dyshohet se u mbyt me litar për shkak të prishjes së pazareve të drogës në Gjermani.

Më pas, autorët tentuan ta hidhnin viktimën në liqen së bashku me automjetin, por trupi i tij doli nga makina gjatë rënies së mjetit.

Njoftimi

Gjatë 24 orëve të fundit, finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.

Operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.

Kapen në Tiranë dhe vihen në pranga 2 vëllezërit e njërit prej autorëve të vrasjes nëpërmjet strangulimit, të shtetasit R. D., më datë 08.07.2025, në Burrel.

Të arrestuarit, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D.

Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh siguruan informacion për vendndodhjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim.

Bazuar në këtë informacion, u organizua dhe u zhvillua në bashkëpunim me shërbime të Forcës Speciale RENEA, operacioni i koduar “Operacionalja 68”, për kapjen e tyre. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në një apartament në Tiranë dhe ndaluan shtetasit:

-K. B., 29 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, vëllezër.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.

2 shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, për veprime të mëtejshme.