TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, tregoi detaje tronditëse se si Prokuroria e Durrësit ka sabotuar hetimet për kompaninë Kurum, e cila dyshohet se ka kryer trafik ndërkombëtar të lëndëve të rrezikshme.
Lala tha se fillimisht njëra prej Prokuroreve kreu disa veprime hetimore dhe bëri gati masat e sigurisë, por më pas prokurorja Suela Beluli, vendosi të mos shkojë në masa arresti, për të lejuar kryerjen e analizave të mbetjeve, megjithatë sot, pas një viti, ende mbetjet janë në Porto Romano dhe nuk është kryer analiza.
Lala tha se çështja duhet ti kalohet SPAK, si e vetmja mënyrë për t'u hetuar.
"Kryeministri nuk ka interes të zbardhet ky skandal. Në momentin që u dha alarmi nga Rrjeti i Bazelit, që kontejnerët dyshohet se mund të kishin mbetje toksike, Prokuroria e Durrësit nisi kryesisht hetimin, nuk pati denoncim nga institucionet, por pati lajme në media online dhe Rrjeti i Bazelit që bëri një shkrim me dyshimet se mbetjet mund të ishin të rrezikshme.
Që mbetjet të niseshin nga kompania Sokolaj, duhet të merrte miratimin e shtetit pritës, dhe nuk e kishte dhënë shteti pritës.
Prokurore fillimisht ka qenë Medjana Metaj, prokurorja e parë që nisi hetimet kryesisht dhe bëri veprimet e para hetimore, mori në pyetje Xhovana Sokolajn, sekuestroi praktikën në Ministrine e Mjedisit, praktikën pranë Kurum, Sokolaj, kontratat mes tyre. Mori në pyetje drejtuesit e Kurum. Kur u bënë 12 masa sigurie gati, pati një ndërhyrje nga drejtuesja e prokurorisë, që sot drejton hetimin, tha nuk shkojmë me masë arresti por do të presim mbërritjen e mbetjeve, për të kryer analizat. Zonja Suela Beluli, drejtuese e komanduar. E ka bërë me të drejtë? Nuk mund ta paragjykojë. Ajo tha se mbetjet duhet të vinin në Shqipëri dhe të konfirmohej a ishin të rrezikshme.
Kur plasi skandali kam thënë që pranë Kurumit ishin marrë materiale, që AKBN të kryente analiza dhe të konfirmonte a ishin mbetje të Kurum.
Këto do të krahasoheshin me ato që do të vinin. Mbetjet janë në Porto Romano, në ruajtje të policisë, monitorohen me kamera, por nuk ka garanci as Rrjeti i Bazelit. Së pari mbetjet kanë hyrë përmes Turqisë, drynët, vulat e kontejnerëve rezultojnë të dëmtuar. E dyta, asnjë institucion shtetëror, nuk ka marrë përsipër kryerjen e analizave, kjo është e qëllimtë, nuk duan të konfirmojnë vërtetësinë, qëndrimi në kontejnerë mund të zhbëjë provën. Po luhet ping pong mes prokurorisë dhe Italisë për të bërë analiza.
Ka përgjegjës në agjencinë kombëtare të mjedisit, është pyetur zonja Dollani. Janë pyetur zyrtarët e Portit. Prokuroria është ose e kapur, ose e kanë lënë veçmas. Prokuroria ka vetëm një zgjidhje, t'ja kalojë SPAK. Pse nuk e bën këtë?
Kam dyshime të forta që politika është e prirur ta varrosë këtë çështje, sepse ka minimalisht shpërdorim detyre dhe pastaj trafik ndërkombëtar mbetjesh të rrezikshme", tha Lala.