AKTUALITET, 18 Shtator 2025, 21:40

Parlamenti farsë/ Nazarko: Opozita nuk duhet të binte në grackë! Bushati: Më mirë të përleshesh, sesa të të tallin!

Parlamenti farsë/ Nazarko: Opozita nuk duhet të binte në

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, është diskutuar lidhur me seancën parlamentare, ku duhet të diskutohej programi i qeverisë, por seanca u mbyll për 25 minuta. 

Analisti Mentor Nazarko deklaroi se opozita nuk duhet të binte në grackë, duke bllokuar foltoren, pasi kjo i dha mundësi Ramës të mbyllte sa më shpejtë seancën, pa asnjë debat. 

Ndërkohë analisti Andi Bushati, tha se opozita është tallur nga Rama, i cili gjatë seancës nxorri edhe "ministren" me inteligjencë artifciale "Diella" dhe se në këto kushte, është më mirë "përleshja" sesa të pranohet si normalitet kjo ngjarje. 

Biseda në studio: 

Mentor Nazarko: Opozita e frustruar nga humbja me diferencë të madhe, ka paralajmëruar veprime të forta. Ka patur në mbledhjen e grupit të PS, përgatitje për këtë skenar, nëse ka veprime të forta, hedhin objekte, do të ndërpresim seancën. Ky më rezulton se ka qenë skenari i parapërgatitur. Por, pse opozita e hëngri futjen e një elementi si Diella, që do të jetë konstant? Pse e hëngri opozita këtë? Kjo më sjell në mendje dy paralele. Njëri personazhi i Kadaresë, Beluli, një fshatar që banonte afër bazës dhe shqetësohej nga sinjali i radarit. Pse opozita e ka me Diellën? Është anti-kushtetuese? Mund ta trajtosh në Gjykatën Kushtetuese.
E dyta, i ngjan lëvizjes Luddite, që kur hynë makinat, filluan të thyenin makinat. Pse duhet që opozita të bjerë në grackë? Duhet të peshojnë se sa fitojnë me këtë veprim. Bushati thotë të vijojë skenari i dhunës. Ka autokraci edhe më të rënda se Shqipëria dhe nuk ka veprime të tilla. Ka provuar opozita dhe nuk janë përkthyer elektoralisht dhe as ndërkombëtarisht. Në këtë moment, ti që merresh me fjalën dhe e ke profesion, të mos kesh besim të fuqia e fjalës së opozitës, është mosbesim… 

Andi Bushati: A mund ta merrte opozita me të qeshur Diellën? Vëreni veten në kostumin e një qytetari, që i kanë vjedhur pronën në hipotekë dhe ti i nxjerr Diellën. Ai do të durojë Diellën apo do thyeje sportelin? Unë i pari do të thosha, këta derdimen të PD, ky ju vë Diellën dhe këta e dëgjojnë si normalitet? Mund ta pranojnë? Rama u ka thënë o do ju tall, ose do ju rrah. Ose do të jesh auditor i Diellës, ose të nxjerr nga Parlamenti. Do të zgjidhja të përleshesha. Por ama, nuk do të preferoja të isha i tallur dhe të bëja auditorin e Diellës. Po çfarë mund të bëjë një i burgosur padrejtësisht dhe ne ta tallim pse vërtitesh nëpër qeli? E kanë futur në qeli opozitën. Ja do kërkojë opozita komision për McGonigal dhe nuk do t'ja japin. Këta të pajtohen me faktin që nuk ja jep apo të thyejnë mikrofonat? Nuk jemi në kushte normaliteti. Duke e interpretuar konfliktin diktator-opozitë, si gjendje normale, ne gënjejmë publikun. Jemi në gjendje anormale, ku çdo njeri e ka të vështirë të sillet normalisht.