TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti Erjon Braçe u lag, u përplas, u sha dhe akuzua rëndë me fjalët hajdut dhe mund të ishte bërë ligjvënësi i parë i rrahur nga turma në këto kohë “revolucionesh”, nëse nuk do të ishte tërhequr në kohë.
Në kohën kur deputetët, sidomos ata të emëruar nga kupola e PS-së, janë bërë objekt i lakmuar i sharjeve, dhunës dhe indinjatës së protestuesve të ‘Flamingove”, të marrësh në mbrojtje një prej tyre, është pak herezi dhe quhesh i blerë nga pushteti.
Por Erjon Braçe, shumë ndryshe dhe shumë vite larg nga gati të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së, “ha bukë veç”, ka treguar se është deputet i popullit, ndër protestuesit e parë kundër keqqeverisjes, një avokat i fuqishëm i fermerëve dhe 1001 problemeve që ka patur dhe ka Tirana, të denoncuara prej tij nën ambicien për të garuar në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Prej vitit 1996 ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, nën siglën e PS-së, dhe herën e fundit, më 11 maj 2025, u votua si deputet në Tiranë, në listën e hapur, duke marrë mbi 20 mijë vota, ndryshe nga armata e emëruar nga partia në listën e mbyllur dhe të sigurtë.
Prej shkarkimit si zv/kryeministër, kur iku duke shkelmuar karriken në kryeministri, Erjon Braçe ka qenë një zë u fuqishëm opozitar brenda shumicës së konsoliduar parlamentare.
Interpelanca e kërkuara prej tij për TVSH-në në bujqësi, mbështetjen për fermerët, AKU-në, degradimin e bujqësisë dhe blegtorisë, plehrat kimikë, politikat e munguara të qeverisë dhe ministrisë së linjës për fshatin dhe prodhimin vendas, përplasjet me ministrat që e kanë shmangur ballafaqimin me të, kanë qenë prej vitesh avokatia më e fuqishme për degën kryesore që duhej të mbante barrën e zhvillimit dhe të punësimit në vend, por që është falimentuar me dashje nga qeveria, për t’u hapë rrugë bosëve të importit.
Qindra inspektimet e tij nëpër Tiranë, duke treguar atë kryeqytetin e ndyrë, të harruar dhe të lënë pas dore prej bashkisë së qeverisë që na mburren vetëm me fasadën e qendrës, dhe duke injoruar me vetëdije faktin se Tirana është kryeqyteti i vetëm në rajon dhe më gjerë pa ujë të pijshëm dhe 24 orë, pa rrugë, shërbime dhe kanalizime, pa shkolla, çerdhe dhe kopshte për gati gjysmën e popullsisë së vendit që është mbledhur këtu, pa mundësi strehimi për shumicën e popullsisë, pa vizion për modelin e zhvillimit, sepse mbizotëron vetëm industria e ndërtimit, që e ka kthyer Tiranën në një kantier ndërtimi, fjetinë të pabanueshme dhe qyteti që nuk duhet të jetë i tillë për brezin e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Profili i deputetit 54-vjeçar që ka mbi supet e trupit të imët 3 dekada në Kuvend, nuk ka nevojë të merret në mbrojtje nga askush, sepse ai ka punuar vetë që të jetë një zë i fortë brenda shumicës në pushtet, shumë lart dhe shumë larg nga Zegjinetë dhe Lej Fenët që e kanë katandisur jetën parlamentare në një spektakël humori të zi, ku vetëm noterizohen ligjet e qeverisë. Erjon Braçe shpeshherë nuk ka votuar për to, madje është përleshur verbalisht me të vetët. Qoftë, edhe për këtë, ai duhet mbrojtur dhe jo sharë e sulmuar, si ujët e pakët në shkretëtirën e mendimit dhe integritetit të shumicës qeverisëse.