AKTUALITET, 18 Shtator 2025, 22:21

A e lejon ligji shkarkimin e Veliajt? Avokati tregon pse nuk ngjan me rastin e Berishës në arrest shtëpie

A e lejon ligji shkarkimin e Veliajt? Avokati tregon pse nuk ngjan me rastin e

Kryeministri Rama njoftoi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, zgjedhjet e reja në Bashkinë e Tiranë dhe kandidaturën e Ogerta Manastirliut, duke prerë shpresat e Erion Veliajt për qëndrimin në detyrë. Veliaj edhe pse ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, përmes avokatëve të tij, e ka kundërshtuar vendimin për t’u hapur rrugë zgjedhjeve në Tiranës, duke paralajmëruar se do ta ankimojë një shkarkim të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese.    

Avokati Besnik Muçi, në  emisionin “Të Paekspozuarit’ në MCN TV, bëri një interpretim ligjor të kësaj situate. Ai u shpreh se shkarkimi i Veliajt është i mundshëm ligjërisht dhe nuk ka paralele me rastin Berisha, të cilit nuk iu hoq mandati i deputetit kur mungonte, për shkak se ishte në arrest shtëpie. Avokati sqaroi se ligji për të zgjedhurit vendorë nuk e përcakton që mungesa duhet të jetë me apo pa arsye. 

Avokati shtoi se nëse Veliaj e çon shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese, atëherë pezullohet vendimi i qeverisë dhe zgjedhjet mund të mbahen vetëm pas vendimit të GJK. 

Pjesë nga biseda

Besnik Muçi: Ka një diskutim mes juristëve. Në rastin e kryetarit të bashkisë, nuk ka nevojë të jenë me arsye apo pa arsye mungesat. Ligji thotë tre mujor, nuk thotë me apo pa arsye. Ndryshe nga mandati i deputetit, që thuhet, mungon pa arsye mbi gjashtë muaj në punë. Pra aty ku dëshiron ligjvënësi e ka bërë të qartë. Ligji është i qartë. Interpretimi është i thjeshtë dhe i qartë, nuk ka vijë krahasimi mes mandatit të deputetit dhe mbarimit të mandatit të të zgjedhurit vendor.

Ylli Rakipi: Nëse Veliaj shkon në Kushtetuese, pezullohet shkarkimi dhe pritet vendimi, apo mbahen zgjedhjet pa pritur vendimin?

Besnik Muçi: Kushtetuta është e qartë, nëse Këshilli i Ministrave e shkarkon, ka të drejtë ta ankimojë, kjo pezullon automatikisht akti i Këshillit të Ministrave, atëherë është në detyrë.

Ylli Rakipi: Sa mund të zgjasë kjo? 

Besnik Muçi: Zgjat diku te tre muaj. Por për shkak të ngarkesës zgjat edhe më shumë. Nëse vendoset me prioritet, ndoshta edhe më pak. 

Mentor Nazarko: Ligjvënësi nuk e ka bërë specifikimin, por ka thënë tre muaj mungesë e vijueshme, por për deputetin thotë gjashtë muaj rresht. Ligji për pushtetin lokal është ligj special dhe duket qartë që në këtë kushtëzim, ligjvënësi ka dashur të sigurojë funksionalitetin e bashkisë, por megjithatë ju e dini që në hierarkinë ligjore, ligji është nën kushtetutën. E drejta e të zgjedhurit, është mbi një shqetësim të tillë që bashkia të jetë funksionale. Pra e drejta e të zgjedhurit prevalon, mbi këtë kushtëzim sado special.

Besnik Muçi: Krahasimi që i bëtë ju, nuk ka vend, sepse parashikimi kushtetues është për mandatin e deputetit. Ndërsa ligji për pushtetin vendor, nuk kërkon mungesën me apo pa arsye, thotë mosparaqitja në detyrë. Krahasimi nuk ka vend, edhe kur bëhet analiza kushtetuese dhe ligjore. Nuk ka vend për krahasim.