AKTUALITET, 18 Shtator 2025, 21:59

Zogaj kundër seancës parlamentare: Qytetarët kanë të drejtë të dinë programin qeveritar, trajtohen si kukulla që vetëm votojnë

Zogaj kundër seancës parlamentare: Qytetarët kanë të

Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e konsideroi shqetësuese mënyrën si u votua programi i qeverisë “Rama 4” në Kuvend. Ai tha se votimi pa asnjë debat, në vetëm 25 minuta, përbën një mungesë respekti jo vetëm ndaj institucioneve, por edhe ndaj vetë qytetarëve.

“Sot ndodhi një ngjarje e rëndë në Parlament. Një seancë që duhej të ishte një debat i thellë mbi programin e qeverisë, u mbyll për 25 minuta.

Kjo është mungesë respekti për qytetarët që kanë votuar.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se cili është programi i qeverisë që i përfaqëson, por ata trajtohen thjesht si mjet për të votuar dhe më pas anashkalohen nga procesi.

Nuk di një rast tjetër që një program qeveritar të votohet kaq shpejt, pa asnjë transparencë.

 Sot, askush në Shqipëri nuk e di përmbajtjen e këtij programi. Si mund të procedojë një mazhorancë duke e hedhur në votim menjëherë, dhe deputetët thjesht ngrejnë dorën për katër sekonda? Ku është përmbajtja, ku është llogaridhënia?

Marrëdhënia mes politikës dhe qytetarëve në Shqipëri është thellësisht e shtrembëruar.

Qytetarët konsiderohen vetëm si kukulla për të votuar. Pas votës, nuk respektohen, nuk informohen, nuk përfaqësohen realisht.

Ky është një problem i madh i sistemit tonë politik”- u shpreh Zogaj.