AKTUALITET, 27 Shtator 2017, 11:58

"Kokat e kombit", mblidhen rreth Skënderbeut!

"Kokat e kombit", mblidhen rreth Skënderbeut!

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, drejtuan sot mbledhjen e Komisionit për Vitin e Skënderbeut në Pallatin e Brigadave. Kjo është vizita e parë e Haradinajt jashtë vendit, që prej marrjes së detyrës si kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Rama kishte bërë përpjekje maksimale për kurimin deri në detaje të këtij takimi. Ndryshe nga dita e djeshme, kur mblodhi qeverinë dhe partinë dhe u shfaq me një yll në xhaketë, sot ai kishte vendosur një trëndafil të bollshëm, simbol i partive socialiste.

Zoti Rama, lexoi një fjalim të gjatë për Skënderbeun dhe të gjitha virtytet e tij. Rama u kujdes të bënte një paralelizëm mes fitoreve të Skënderbeut dhe fitoreve të qeverisë së tij. Ndryshe nga herët e tjera nuk pati sharje dhe epitete për ata që kanë mendim ndryshe rreth figurës së Skënderbeut. Rama u shpreh se ky vit do të jetë "viti i shqiptarëve të zakonshëm" dhe se ai do t'i drejtohet qytetarëve me "gjuhën e rezultateve konkrete".

Edhe njëherë, Rama u  ndal tek bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, duke e quajtur këtë proces, si një përfundim logjik të integrimit të dy vendeve në Bashkimin Europian.

"Për sa kohë jetojmë në shtete të ndara, të punojmë bashkarisht, që hapësira që mbulojnë këto dy shtete, të jetë në funksion të një të ardhmeje në Bashkimin Europian."

Ndryshe nga fjalimi i gjatë i Ramës për Skënderbeun, Haradinaj foli më shkurt, dhe nuk kishte përgatitur ndonjë fjalim për heroin kombëtar.  Ai tha se i duket interesante mënyra si e ka konceptuar qeveria e Shqipërise vitin e Skënderbeut.

Konferenca për shtyp: 

Në konferencën për shtyp, Rama shpalli vendimet e dakordësuara me Haradinajn.

  • Lehtesimi i procedurave administrative, për shtetasit qe punojnë në Kosovë dhe Shqipëri
  • Heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Rama u shpreh se  kufiri do të jetë simetrik, me ngjashmëri me vendet e Bashkimit Europian. Ai shtoi se, nuk do të hiqen kontrollet, por ato do të jenë të rralla dhe minimale.
  • Ekuivalentimi i diplomave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama u ndal edhe tek unifikimi i tregut mes Kosovës dhe Shqipërisë. "Unifikimi i tregut, ti paraprijë, unifikimit të tregut rajonal" u shpreh ai. Lidhur me shqetësimet e shfaqura, se zona ekonomike rajonale ka potencialin për të rikthyer ish-Jugosllavinë, Rama i quajti të gjitha këto shqetësime,  "teori konsipirative", por pa e argumentuar përgjigjen e tij, taktikë kjo e njohur e kryeministrit, që oponentët kërkon t'i zhvlerësojë me epitete dhe jo me argumenta. / TPZ.AL /