AKTUALITET, 9 Maj 2020, 13:55

Veliaj nuk do t'ja dijë fare, i përgjigjet Metës për Teatrin: Ngrehinë prej tallashi, me shkrepse të presuara!

Veliaj nuk do t'ja dijë fare, i përgjigjet Metës për

Kryebashkiaku Erion Veliaj, të cilit tashmë Edi Rama i ka kaluar godinën e Teatrit Kombëtar, pët të bërë me të çfarë t'i dojë qejfi, vijon të ketë reagime të ashpra ndaj çdokujt që kërkon të mos shembet Teatri.

Ai i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës, pasi ky i fundit kërkoi të mos cënohet godina e Teatrit.

Veliaj e ka quajtur godinën "një ngrehinë prej tallashi me shkprese të presuara" dhe shprehet se është impresionuar nga zelli i Presidentit për ta mbrojtur.

"Impresionues zelli per ngrehinen prej tallashi me shkrepset e presuara me alga per dopolavoron e kazermave fashiste. Po per kostumet e Ndrek Luces, bobinat me zerin e Kadri Roshit e dhjetra vlera do reagoni? Kane 3 vjet qe i ha mola e miu sepse zaptuesit tuaj i mbajne peng!", shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Më herët, Meta i kërkoi Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Tiranës, të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar.

“Pasi u njoha me përmbajtjen e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.377, datë 8 maj 2020, botuar me urgjencë në Fletoren Zyrtare nr.83, datë 8 maj 2020, përcjell me forcë këtë mesazh drejtuar autoriteteve shqiptare.

Çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar.

Vijimi i kësaj veprimtarie shtetërore për prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar në këtë moment, do të dëmtonte rëndë imazhin dhe kredencialet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe familjen europiane, sidomos në kushtet kur objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane, duke shënuar kështu udhëtimin europian të kësaj qendre të kulturës shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar.

Organizata Europa Nostra e mbështetur nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare.

Ti kundërvihesh një mbështetje të Bashkimit Europian në Ditën e Europës, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vlerave për të cilat kemi 30 vjet që përpiqemi të përqafojmë.

Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të.

Mbetem shpresëplotë në një reflektim që na bashkon në këto kohë të vështira që po kalon vendi", shkruan Presidenti.

/TPZ.al/