AKTUALITET, 16 September 2026, 10:26

"Ruani qetësinë"/ Haga nis leximin e vendimit ndaj krerëve të UÇK, gjyqtari hap seancën: Po gjykojmë përgjegjësi individuale, jo luftën çlirimtare

Ka nisur leximi i aktgjykimit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Vendimi po lexohet nga kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith.

Në fjalën e parë, Smith deklaroi se "aktgjykimi shqiptohet publikisht në emër të popullit të Kosovës", ndërsa u bëri thirrje të pranishmëve në sallë të ruajnë qetësinë.

Ai paralajmëroi se në rast të ndërhyrjeve apo prishjes së rendit, gjykata do të marrë masat përkatëse.

Charles Smith, kryetari i trupit gjykues deklaroi se po gjykohen disa persona, dhe jo lufta e UÇK-së.

“Ne po gjykojmë disa persona për përgjegjësi individuale dhe nuk jemi duke gjykuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Gjyqtari renditi akuzat në drejtim të komandantëve të UÇK-së.

“Hashim Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së dhe ai ishte shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe kryekomandant i UÇK-së e kryeministër i përkohshëm i Kosovës.

Kadri Veseli është shtetas i Kosovës, ishte shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, shef i SHIK-ut dhe Ministër i Shërbimit Informativ.

Rexhep Selimi, ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ministër i Punëve të Brendshme të QBK-së.

Jakup Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte zëdhënës i UÇK-së dhe zv/komandant i UÇK-së. Gjashtë akuza rëndojnë mbi ta që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit. Prokuroria ngre akuza, duke i akuzuar se kanë trajtuar mizorisht civilë. Veprimet dhe mosveprimet kishin lidhje mes UÇK-së dhe ushtrisë serbe. Krimet u kryen gjatë veprimtarive të UÇK-së dhe ata kishin dijeni se viktimat nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Të akuzuarit kanë përgjegjësi penale për krimet që janë ngritur akuzat. Të katër të akuzuarit kanë thënë se janë të pafajshëm”, tha gjyqtari.