AKTUALITET, 9 Maj 2020, 13:01

“Ka rënë zjarr tek zyra e Prokurimeve”, Basha zbulon ngjarjen dhe akuzon qeverinë: Ky është test për jetë a vdekje për SPAK

“Ka rënë zjarr tek zyra e Prokurimeve”, Basha zbulon


Kryedemokrati Lulzim Basha ka zbuluar sot në bashkëbisedimin me gazetarët se në zyrën e Prokurimeve në katin e katërt të Ministrisë së Shëndetësisë, ka rënë zjarr.

Basha tha se ky zjarr i dyshimtë, në zyrën e Prokurimeve, ka si synim fshehjen e fakteve.

“E ka mendjen për të vjedhur, ndaj bëjnë tendera sekretë. Paska rënë edhe zjarr tani që SPAK nisi hetimet. E keni dëgjuar apo jo?

Ka rënë zjarr në katin e katërt te Ministria e Shëndetësisë tek zyra e Prokurimeve.

Kam paralajmëruar prej kohësh se arsyeja kryesore e Edi Ramës që nuk publikon të dhënat e tenderave është se kërkon të manipulojë të dhënat. Mesa duket, nuk kanë arritur dot që t’i manipulojnë dhe iu kanë vënë flakën.

Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë se ky është test për jetë a vdekje për SPAK-un. Iu bëj thirrje që të vijojë hetimi me përgjegjshmëri dhe transparencë.

Të refuzojnë presionin, joshjen nga Ëngjëll Agaçi, Ulsi Manja, e Taulant Balla. Ndërkombëtarët dhe shqiptarët po i shohin. Jam i sigurt që s’kanë për t’i falur",-tha Basha.