AKTUALITET, 9 Maj 2020, 12:30

“Kjo është pandemia ekonomike”- Basha: Rama po shtyn vendin në një krize të thellë. Dha më shumë para për dy kilometra rrugë në Unazën e Re, sesa për qytetarët

“Kjo është pandemia ekonomike”- Basha: Rama po shtyn


Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë se po shtynë vendin drejtë një krize të thellë ekonomike, ndërsa tha se gjatë këtyre javëve të pandemisë, qytetarët janë varfëruar edhe më shumë.

Me një bashkëbisedim me gazetarë, Basha u shpreh se gjatë këtyre tetë javëve mbi 60 mijë persona kanë humbur vendin e punës, ndërsa shtoi se në total janë vetëm 41.5 milion euro që qeveria i ka shpërndarë për t’u ardhur në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve.

Sipas kryeopozitarit, me TVSH “Rama ka dhënë më shumë për 2 kilometra unazë, oligarkëve tek Unaza e re”

“Kjo është pandemi ekonomike. Por edhe para pandemisë njerëzit ishin të varfër, sjellja e qeverisë Rama gjatë pandemisë i ka bërë edhe më të varfër dhe po e shtynë vendin drejt një krize të thellë ekonomike.

Ky është një shqetësim që e ne e paraqitëm që në ditët e para. Kërkuam të merreshin urgjentisht masa për ekonominë, kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste. Shqipëria në këto vite ka bërë pas. Vetëm para pak vitesh, Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtin borxh publik, 70% të PBB.

Sot Shqipëria vazhdon ët ketë një borxh të lartë që përllogaritet në 84%, Serbia ka shkua në 54.6%. Ne gjatë këtyre tetë javëve kemi humbur mbi 60 mijë vende pune.

Le të marrim Kosovë, ka shënuar gjashtë mijë vende të reja pune, vetëm sipas tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë. Gjatë këtyre viteve taksat e shqiptarëve nuk kanë shkuar për të stimuluar ekonominë, por kanë shkuar për një grusht oligarkësh, nëpër koncesione PPP.

Në total 41.5 milion euro është shuma totale që Rama ka dhënë për tre milion shqiptarë për qindra njerëz që kanë humbur punën dhe bizneset në një stres të jashtëzakonshëm. Me TVSH ka dhënë më shumë për dy kilometra unazë, oligarkëve tek Unaza e re. Shuma që u dedikua për atë projekt korruptiv është më e madh se shuma që ka dhënë për qytetarët në këto javë", tha Basha.