AKTUALITET, 17 Janar 2018, 14:35

U arratis kur gjykata e nxori nga qelia, nis gjykimi për mikun e Franc Konomit

U arratis kur gjykata e nxori nga qelia, nis gjykimi për mikun e Franc

Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në shkurt 2016, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

E menjëherë pas fitimit të lirisë, Domart Konjari u arratis, kurse Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë.

Ndërkaq, Konjari i njohur si miku i Franc Konomit, do të gjykohet në mungesë, pasi gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes për transferim të procedimit penal në Francë.

Rekursi i bërë nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër vendimit që caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për Konjarin nuk është pranuar.

Prokuroria shqiptare i vazhdoi hetimet edhe pas lirimit të Konjarit, dhe në bazë të këtyre hetimeve, që prej dhjetorit të 2016, u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Kërkesa u pranua nga ana e Gjykatës, e cila ishte e njëjta që kishte liruar Konjarin, por i akuzuari vijon në arrati. Domart Konjari u arrestua në 2015 në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë për llogari të autoriteve franceze, ndërsa dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës në disa shtete të Europës Qendrore.