AKTUALITET, 17 Janar 2018, 11:55

DASH: Shqipëria vendi më i sigurt për të udhëtuar në Ballkan, por ka edhe...

DASH: Shqipëria vendi më i sigurt për të udhëtuar

Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Ballkan për të udhëtuar. Vlerësimi ka ardhur drejtpërdrejt nga Departamenti Amerikan i Shtetit i cili në përditësimin që i ka bërë nivele të sigurisë për të udhëtuar në vende të ndryshme të botës, ka vlerësuar maksimalisht Shqipërinë.

Kështu, sipas DASH, vendi ynë meriton notën 1 (notën më të lartë), pavarësisht se në disa zona, ka rrezikshmëri dhe kriminalitet. DASH këshillon që të të bëhet kujdes kur udhëtohet në zonën e Lazaratit, për shkak të kriminalitetit.

Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, me notën 1 vlerësohen edhe Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.

Ndërsa kujdes më i shtuar duhet bërë sipas DASH në Kosovë, e vlerësuar me notën 2. Për Kosovën, udhëzohet të rimendohet udhëtimi në Mitrovicën veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për shkak të konflikteve civile.

Ndërkohë që në Europë, shihen si vende jo shumë të sigurta Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, të vlerësuara me notën 2, si shënjestër e sulmeve të mundshme terroriste.

Sipas vlerësimit që bën DASH, nivelet jepen në bazë të numrave, ku me notën 1 vlerësohen vendet që kanë nevojë vetëm për masa normale kujdesi, me notën 2 vlerësohen vendet ku ka nevojë për kujdes të shtuar, me notën 3 vlerësohen vendet ku duhet rimenduar udhëtimit dhe me notën 4 vendet që nuk duhet udhëtuar.