AKTUALITET, 17 Janar 2018, 14:40

Edi Rama i mëson komentueses edukatën qytetare: "Mos fol rrapazhgrrapa"


Kryeministri "më i edukuar" në historinë e shtetit shqiptar, Edi Rama, ditën e sotme ka marrë përsipër t'i mësojë edukatën qytetare një prej komentueseve në faqen e tij në facebook. Rama shpenzon një pjesë të kohës, duke i kthyer përgjigje komentuesve në faqen e tij, sigurisht atyre komenteve që kanë kaluar filtrin dhe nuk janë fshirë nga zyra e propagandës.  Një prej komentueseve, e quajtur Dorina Coka, i ka shkruajtur kryeministrit, se në Shqipëri nuk nevojiten vetëm aeroporte por edhe trena.

Kryeministri nuk ka patur një përgjigje për komentin, por ka bërë një vlerësim për komentuesen, duke e quajtur të paedukatë. "Dorina edukatën Dorina edukatën, mëso edukatën se nuk i shkon askujt por sidomos një vajze e folura rrapazhgrrapa", shkruan kryeministri.

Në fakt, kryeministri Rama, nuk njihet si një preson me ndonjë raport të mirë me edukatën, duke qenë se në fjalorin e tij dominojnë shprehjet denigruese dhe fyese ndaj grave, kundërshtarëve apo edhe bashkëpunëtorëve, prandaj këshillën e vyer për Dorinës, shpresojmë ta aplikojë edhe në komunikimin e tij të përditshëm.

/TPZ.AL/