AKTUALITET, 17 Janar 2018, 13:52

Ish-zyrtarët e UÇK-së pretendojnë se s’ishin në dijeni të vrasjeve të viti 1998

Ish-zyrtarët e UÇK-së pretendojnë se s’ishin në


Ka vazhduar këtë javë para Gjykatës Themelore të Gjakovës gjyqi i ish-komandantit të UÇK-së dhe zv/kryeministrit aktual të Kosovës, Fatmir Limaj.

Limaj akuzohet se nuk arriti të parandalonte vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, në vitin 1998.

Prokuroria mori në pyetje figura kyçe të UÇK-së në lidhje me një deklaratë të botuar nga gazeta Zëri i Kosovës në nëntor të vitit 1998, të lëshuar nga Drejtoria e Policisë Ushtarake të UÇK-së, e cila thoshte se Hoxha dhe Binishi u ekzekutuan si bashkëpunëtorë me regjimin serb që qeveriste atëherë Kosovën.

Kjo provë e prokurorisë u kundërshtua nga mbrojtja, e cila tha se prokuroria nuk e kishte kopjen origjinale të deklaratës të supozuar të UÇK-së, por po përdorte vetëm artikujt e botuar nëpër gazeta.

Azem Syla, ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së, i cili dëshmoi të martën, tha se ai ishte jashtë Kosovës pjesën më të madhe të kohës në fjalë dhe se e mbante mend shumë pak ngjarjen.

“Nuk e mbaj mend se kur u themelua Drejtoria e Policisë Ushtarake të UÇK-së,” tha Syla në gjykatë, duke shtuar se ai gjithashtu nuk e di se kush e drejtonte Drejtorinë e Policisë Ushtarake të UÇK-së në atë kohë.

Sokol Dobruna, një tjetër zyrtar i lartë i UÇK-së, tha se ai nuk kishte dëgjuar për vrasjen e dy civilëve, pasi ai ishte në një zonë tjetër.

“Në atë kohë unë isha në zonën operative të Dukagjinit, kështu që nuk mora vesh gjë për vrasjen e këtyre dy civilëve,” tha Dobruna në gjykatë.

Një tjetër dëshmitar nga ish-lidershipi i UÇK-së, Rexhep Selimi, tha se deklarata e përdorur nga prokuroria nuk mund të ishte e saktë.

“Mund të konfirmoj se më 30 tetor 1998, një datë e përmendur në këtë deklaratë, Drejtoria e Policisë Ushtarake (brenda UÇK-së) nuk ekzistonte,” tha Selimi.

Limaj akuzohet për mosmarrje të masave të nevojshme për parandalimin e vrasjes së dy civilëve gjatë kohës që ishte komandant i UÇK-së në tetor 1998.

Aktakuza thotë se Limaj i pa trupat e viktimave dhe ishte në dijeni të krimit. “Ai qëllimisht nuk ndërmori masa për të zbuluar autorët e këtij krimi dhe pas nëntori 1998, kur ai u emërua drejtor i policisë ushtarake në selinë e UÇK-së, çështja s’iu dërgua kurrë autoriteteve përkatëse për gjykim,” tha prokurorja Drita Hajdari.

Hoxha, nga Bellanica, dhe Binishi, nga Banja, vendlindja e Limajt, u kapën më 2 tetor 1998 pranë xhamisë në Bellanica dhe u ekzekutuan pranë fshatit Kravasari, rreth 4 km më larg.

Këtë javë gjykata dëgjoi gjithashtu dëshminë e Muhamed Hoxhës, një nga personat e fundit që takoi Binishin.

Hoxha tha në gjykatë se dy persona me maska hynë në dyqanin e tij dhe e morën Binishin me vete.

“Dy persona hynë në dyqan të veshur me rroba të zeza dhe maska. Njëri prej tyre kishte vënë maskë gazi. Nuk mbaj mend nëse kishin ndonjë logo apo shenjë identifikuese,” tha Hoxha në gjykatë.

Gjyqi kundër Limajt nisi në janar të vitit të kaluar.

Leke Muqaj, Taulant Osmani / BIRN