AKTUALITET, 6 Tetor 2017, 17:56

Timonieri kërkon mendjen e popullit, prezanton rubrikat e portalit të bashkëqeverisjes

Timonieri kërkon mendjen e popullit, prezanton rubrikat e portalit të

Kryeministri Edi Rama, në rolin e një prezantuesi  të zellshëm, paraqiti sot nga Parku Olimpik i Tiranës, atë që e quan “platforma për bashkëqeverisjen me qytetarët”. Ky do të jetë një portal online ku qytetarët mund të shprehin ankesat apo mendimet e tyre për punën e qeverisë. Kryeministri u kujdes të sqaronte, se portali i tij nuk ngjason me portalet e tjera online, të cilat duket se e bezdisin shumë atë.

Kryeministri e kishte mësuar përmendësh portalin dhe prezantoi çdo cep dhe rubrikë vetë. Prezantimi ishte i gjatë, madje ja kaloi edhe prezantimit të çertifikatave ditën e djshme, që dëshmon se ky portal ka një rëndësi madhore për kryeministrin.

Ai e filloi shpjegimin me dritaren e ankesave. Më pas kaloi tek dritarja me titull “Fjala ime”, që do të shërbejë për  sugjerime, ide dhe propozime, se si të përmirësohet qeverisja. Kur Rama të marrë vendimet e rëndësishme të vendit, ai do të konsultohet edhe me postimet e qytetarëve. Nuk dimë deri ku do të arrijë influenca e qytetarëve në vendimet e Ramës.  Përshembull, nuk dihet nëse Rama do të konsultohet me qytetarët e thjeshtë për kullat që ka vendosur të ndërtojë, apo koncesionet që po jep. Deri tani atij i mjaftonin konsultimet me oligarkët.

Rama njoftoi se në fund të portalit gjendet edhe rubrika “nota ime”, ku qytetarët mund të lënë vlerësimet e tyre. Edhe redaksia e portalit TPZ.AL, që e ndoqi me vëmendje eventin kryesor të kryeministrit për ditën e sotme, i vendos atij notën 10 për prezantimin e shkëlqyer!  / TPZ.AL /