AKTUALITET, 6 Tetor 2017, 04:34

Basha: Biznesi i vogël me TVSH? Marrëzi!

Basha: Biznesi i vogël me TVSH? Marrëzi!

Lulzim Basha e quajti marrëzi dhe shkatërruese për ekonominë idenë e Qeverisë për të futur në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe biznesin e vogël.

Marrëzia e fundit është ideja që tani TVSH të paguhet nga biznesi i vogël. Pra, zhdukja e biznesit të vogël. Është sharlatanizëm ekonomik që vjen nga dyshja që ka një rekord dështimesh në ekonomi, që është Rama-Ahmetaj, por është më shumë se sharlatanizëm ekonomik; u tregon qartë shqiptarëve se kujt u shërbejnë këta njerëz. Prej kohësh manjatët kërkojnë që t’u transferohet TVSH-ja tek biznesi i vogël dhe këta nuk bëjnë gjë tjetër, por janë bërë shërbëtorët e manjatëve”, tha Basha.

Duke folur në Top Story me Sokol Ballën, Basha paralajmëroi efektet e këtij vendimi, sipas tij.

“Kjo është shkatërruese për biznesin e vogël. Do të kërcënojë mbi 280 mijë vende pune që janë të lidhura drejtpërdrejtë me biznesin e vogël. I shkatërron dhe i çon në faliment total sepse biznesi i vogël nuk ka kapacitete që të angazhohet në pagesën e TVSH-së dhe rimbursimin e saj, sepse vetëm kontabilistët për t’u përfshirë në këtë veprim, do të thotë që të gjithë fitimin e vet të paguajë llogaritarin. Nuk mund të ndodhë kjo”, deklaroi ai.

Basha thotë se zgjidhja është një tjetër.

“Zgjidhja është rritja e kufirit të biznesit të vogël tek 12 milionë lekë dhe kjo do të mundësojë nga njëra anë të zgjidhet një problem i drejtë në raport me biznesin e madh për këto fatura dhe e dyta, do të çlirojë biznesin e vogël, që është shtylla e ekonomisë shqiptare që në këto ditë kaq të vështira të mos ketë një çekan tjetër mbi kokë”, tha ai.

Lulzim Basha përjashtoi një funksionim normal me mazhorancën në Parlament, pasi sipas tij, ajo ka dalë nga vota e deformuar e shqiptarëve.

“Nuk ka asnjë shpresë që të ketë një funksionim normal mazhorancë-opozitë, ku mazhoranca do të përballet me alternativat e saj, opozita të ketë propozimet e saj. Gjithçka është fiktive sepse nis me shtrembërimin e votës. Nuk mund t’u thuash shqiptarëve që ju meritoni librat me çmime tregu sepse këtë qeveri votuat, sepse kjo nuk është e vërtetë sepse mes votës për libra me çmime tregu dhe votës për libra të subvencionuar nga buxheti i shtetit, natyrisht që shqiptarët do të zgjidhnin këtë të dytën”, deklaroi ai.

Sipas kreut të PD janë tre hapa për të rikthyer demokracinë funksionale në vend.

“Hapi i parë është të nisim reformën zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik. Ky hap është i pamjaftueshëm sa kohë qeveri është e lidhur me krimin, ndaj lufta ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve qeveritare me të është prioritet absolut. Kjo nuk zgjidhet as duke i bërë thirrje ndërgjegjes së Xhafës as duke i bërë lajka Edi Ramës. Edi Rama nuk e lufton dot krimin sepse i bie të luftojë vetveten”, thotë ai.

/ Top Channel

/ Top Channel