AKTUALITET, 6 Tetor 2017, 12:58

Prokuroria Europiane gjen miratimin në Parlamentin e BE-së

Prokuroria Europiane gjen miratimin në Parlamentin e BE-së

Miratohet me shumicë votash në Parlamentin e BE-së, projekti për Prokurorinë Europiane. Projekti gjen miratim pas bisediemve të zgjatura disavjeçare, nga ministrat e Drejtësisë së pjesës më të madhe të vendeve anëtare.

Eurodeputetet u shprehen masivisht pro ngritjes së një organi të ndjekjes penale të financuar nga BE-ja, që do t’i kundërvihet shkeljeve e mashtrimeve. Një prokurori e përbashkët do të duhet të hetojë shpërdorimin ndërkufitar të parave të bllokut dhe të ngrejë padi, duke vepruar jo vetëm kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe abuzimeve me fondet e Bashkimit Europian, por edhe kundër mashtrimeve, si ato me taksën mbi vlerën e shtuar, në nivel ndërkufitar.

Të dhënat e Komisionit të BE-së, tregojnë se vetëm nga abuzimet me TVSH-në, Brukseli humbet të paktën 50 miliardë euro të ardhura nga tatimet, në vit. Autoriteti i ri do ta ketë selinë në Luksemburg dhe do të nisë punën nga viti 2020. Secili nga vendet pjesëmarrëse do të emërojë të paktën një prokuror të deleguar, i cili do të jetë aktiv në vendin e tij, por duke bashkëpunuar ndërkohë edhe me Prokurorinë Europiane.

Tetë vende të bllokut nuk e përkrahen nismën, mes tyre dhe Polonia e Hungaria, që marrin shumë para nga BE-ja, ndërsa mbështetësja më e fortë e projektit, ishte Gjermania.

Përgatiti:  TPZ.al