AKTUALITET, 25 Tetor 2017, 15:29

Sulmi ndaj gazetarëve, Basha: Rama ka humbur çdo lloj ekuilibri psiqik

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi kundër “banaliteti rrugaçëror dhe kërcënimet kundër gazetareve” nga ana e Kryeministrit Rama, i cili fyeu gazetarët. “I marrë peng nga Saimir Tahiri dhe i kthyer në një lolo nga kriminelët që i diktojnë vendim-marrjen politike, Edi Rama sot ka humbur çdo lloj ekuilibri psiqik dhe njerëzor, ndaj po ushtron dhunë verbale kundër çdokujt që i duket se sfidon pushtetin e tij”.

STATUSI I PLOTË E KRYETARIT TË PD

  Sulmi agresiv, banaliteti rrugaçëror dhe kërcënimet kundër gazetareve faktojnë çekuilibrimin psiqik që ka Edi Rama kur nuk arrin ta fshehë të vërtetën tronditëse as nga vetja e tij. I marrë peng nga Saimir Tahiri dhe i kthyer në një lolo nga kriminelët që i diktojnë vendim-marrjen politike, Edi Rama sot ka humbur çdo lloj ekuilibri psiqik dhe njerëzor, ndaj po ushtron dhunë verbale kundër çdokujt që i duket se sfidon pushtetin e tij. Sulmi ndaj gazetarëve është dhunë jo vetëm ndaj tyre, por dhunë ndaj gjithë shoqërisë, e cila pa gazetarinë dhe pa fjalën e lirë përfundon në errësirë dhe skllavëri. Përgjigja më e mirë ndaj kësaj dhune, është kurajo për të zbuluar dhe thënë të vërtetën. Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për të vërtetën dhe për kurajo përballë të keqes. Në betejën për liri, të drejta dhe dinjitet ne jemi të gjithë bashkë, unë dhe opozita jemi në krah të çdo gazetari kurajoz si ata që nuk e gëlltitën me turp rrugaçërinë e Ramës sot. Bashkë, nuk ka bandit as lolo banditësh si Edi Rama që mund të na trembë apo nënshtrojë".