TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sauthemptoni arriti një tjetër fitore të rëndësishme këtë javë në Premier Ligë, kësaj radhe përballë Evertonit të Frenk Lampardit.
Falë golave të Armstrong dhe Long në pjesën e dytë, “Shenjtorët” morën tri pikët e radhës, ndërsa në “St Mary’s” ishte protagonist edhe një herë tjetër Armando Broja.
Sulmuesi 20-vjeçar vuri në disa raste në vështirësi mbrojtjen mike me shpejtësinë e tij dhe iu afrua golit në më shumë se një moment. Në tri shanset e sulmuesit shqiptar, portieri Pikford u ndihmua nga fati, ku dy goditje u bllokuan nga mbrojtësit dhe në të tretin topi shkoi ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 83-të ai u zëvendësua për t’i lënë vendin Long dhe i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për të duartrokitur sulmuesin e talentuar shqiptar, përfshirë tribunën kryesore me në krye pronarin serb Dragan Sholak.
NOTA 6 – “Lojtari i huazuar nga Çelsi luajti pak a shumë një pjesë të parë të qetë, pavarësisht se shansi i tij u sfumua nga Pikford. Ai duhet të kishte bërë gjithashtu më mirë për të pasuar tek Elionusi, ndërsa anësori ishte i lirë në zonë në rastin e 15 minutave të fundit.
Megjithatë, Evertoni vuajti ndonjëherë shpejtësinë dhe vrullin e tij përpara se të zëvendësohej nga Long”, ishte vlerësimi me notën 6 për Armandon nga “Hampshirelivenews”.
MERSON – Legjenda e Arsenalit, Pol Merson, sot në rolin e opinionistit të “Sky Sports” nuk i kurseu elozhet për sulmuesin, të cilit ia parashikon të ardhmen në “Stamford Bridge”:
“Broja është dikush që më ka tërhequr vëmendjen këtë sezon dhe unë besoj fuqimisht se ai ka një të ardhme te Çelsi.
Është trupmadh, i fortë, i shpejtë dhe ka treguar se mund të shënojë në vazhdimësi në nivele të larta. Kështu që edhe nëse Çelsi e lejon që të largohet, mendoj se ata do të kërkojnë të përfshijnë klauzolën e riblerjes në kontratën e tij”.