SPORT, 20 Shkurt 2022, 16:07

Kastrioti i bën gjëmën Tiranës, Laçi shkërmoq Kukësin dhe i afrohet kreut

Kastrioti i bën gjëmën Tiranës, Laçi shkërmoq

Tirana humb kundër Kastriotit dhe tani shikon Laçin tri pikë afër, me kampionatin totalisht të hapur. Javën tjetër dy skuadrat përballen së bashku në kryeqytet.

Krutanët i janë falur sulmuesit Kaina, i cili ndëshkoi dy herë Tiranën (13’ dhe 82’) dhe në fund ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1. Për skuadrën e Shehit realizoi Dijar Nikqi (87') në debutimin e tij në Superiore.

Laçi nuk ndalet, teksa këtë herë ka mposhtur skuadrën e Kukësit me rezultatin 3-0. Kurbinasit e zhbllokuan ndeshjen që në minutën e tetë, pas një goditjeje dënimi.

Renato Malota me kokë ndëshkoi ish-skuadrën e tij (8'). Bardhezinjtë ishin më ngulmues dhe në fundin e pjesës së parë shënuan edhe golin e dytë me nigerianin Adeleke (41'), i pari për të në kampionatin tonë.

Me rezultatin 2-0 kurbinasit shkuan në pushim dhe Kukësi nuk pati fuqi të reagonte. Në fund Laçi shënoi edhe golin e tretë, me Iljasa Zylfiun (90').