SPORT, 8 Mars 2022, 21:34

Nuk ka falje për presidentin e PSG-së, Prokuroria kërkon 28 muaj burg

Nuk ka falje për presidentin e PSG-së, Prokuroria kërkon 28 muaj

Naser Al-Khelaifi rrezikon dënimin me burg për rolin e tij në atë që është cilësuar si “FIFAgate”, ngjarjen e rëndë të korrupsionit në organizatën më të rëndësishme të futbollit botëror, për shitblerjen e të drejtave TV të aktiviteteve më të rëndësishme.

Presidenti i PSG-së akuzohet bashkë me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të FIFA-s, Zherom Valke, për marrëveshje korruptive për të bërë të mundur që kompania e tij televizive, “BeIN Sports” të siguronte të drejtat e transmetimeve të disa aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare.

Prokurori i çështjes ka kërkuar sot para Gjykatës së Apelit në Zvicër 28 muaj heqje lirie për numrin 1 të PSG-së, ndërsa ka kërkuar 35 muaj për Valke për rolin e tij në këtë çështje. Gjykata e shkallës së parë kishte hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë zviceranë për çështjen në fjalë, por mendohet se situata do të ndryshojë në Apel në gjyqin që po zhvillohet në Bellinzona.