SPORT, 6 Shkurt 2022, 18:05

Ndeshja e parë si titullar në Serinë A për Kristjan Asllanin, trajneri: Tregoi se është një perspektivë e bukur

Ndeshja e parë si titullar në Serinë A për Kristjan

Futbollisti i përfaqësueses shqiptare U21, Kristjan Asllani, ka luajtur sot ndeshjen e tij të parë në Serinë A si titullar me fanellën e Empolit. Djaloshi 19-vjeçar kishte luajtur në tetë ndeshje të mëparshme në elitën e futbollit italian vetëm në minutat e fundit si zëvendësues, ndërsa sot mori përgjegjësin e fanellës së titullarit.

Ai dhuroi një provë të mirë në sfidën ndaj Bolonjës, paraqitje për të cilën u vlerësua edhe nga trajneri Aurelio Andreacoli në përfundim të sfidës që u mbyll pa gola. Ky  fundit kishte deklaruar një ditë më parë se shitja e talentit italian Samuele Riçi te Torino, kishte ndodhur edhe për faktin se kishte në skuadër një lojtar me potencial të madh si Asllani.

“Sot kishim konfirmimin se edhe sakrificat, dhe këtu i referohem shitjes së Riçit, në një realitet si i yni janë të nevojshme dhe nuk bëhen rastësisht. E dinim atë që duhej të bënim por edhe atë që duhej të na sillte. Asllani sot tregoi se është një perspektivë e bukur për të ardhmen”, ishin fjalët e teknikut të Empolit pas ndeshjes së sotme, ku la mesfushorin shqiptar deri në fund të sfidës në fushën e lojës.