TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kastrioti ka marrë tri pikë të arta kundër Dinamos, me rezultatin e pastër 2-0, falë dy golave të Grecës. Krutanët i çojnë një mesazh Egnatias dhe Skënderbeut, rivalë për mbijetesë në Superiore dhe i fut edhe blutë në këtë vorbull, pasi mes tyre ka vetëm katër pikë diferencë.
Dinamo e Bledi Shkëmbit e nisi në sulm dhe u mundua të rrezikonte me Reginaldo, Bardhi dhe Chinedu, por ata nuk ia dolën dot ta ndëshkojnë portierin Edmir Sali. Asnjë gol në 45 minutat e para të këtij dueli.
Blutë e nisën me pretendime për penallti pjesën e dytë, por ndërhyrja e Hasanit ishte e saktë. Kastrioti në minutën e 50-të arriti ta zhbllokonte ndeshjen, duke e shtangur Dinamon.
Shtatë minuta më pas Dennison nuk përfitoi dhe e çoi topin jashtë, edhe pse Sali kishte dalë. Kaina më pas pati dy raste të mira për gol. Herën e parë e ndali portieri Simoni, kurse në rastin tjetër topi i goditur prej tij me kokë përfundoi ngjitur me shtyllën.
Kastrioti ia doli të shënonte edhe golin e dytë pas një kundërsulmi. Sërish ishte Greca që ndëshkoi portierin Simoni në minutën e 68-të, duke arkivuar fitoren e skuadrës së tij.
Dinamo mbetet me 19 pikë, me ankthin se një rezultat pozitiv i Egnatias e Skënderbeut, që janë 16, do t’i barazonte me pikë. Kastrioti ngjiet në kuotën e 15 pikëve, edhe pse vazhdon të jetë i fundit.