SPORT, 25 Shkurt 2022, 18:58

Gola, tension, penallti dhe polemika, Skënderbeu dhe Vllaznia ndajnë pikët

Gola, tension, penallti dhe polemika, Skënderbeu dhe Vllaznia ndajnë

Pas pesë humbjeve radhazi në kampionat, Skënderbeu arrin që të marrë një pikë në sfidën kundër Vllaznisë (2-2), që hapi javën e 22-të të Superiores.

Skënderbeu zhbllokon sfidën me shkodranin Ardit Nikaj (24'), që shënon golin e parë në Superiore përballë skuadrës së vendlindjes. Vendasit luajnë më mirë dhe i afron golit me Jean Victor.

Korçarët humbasin një shans të artë për të dyfishuar rezultatin, por Alfred Mensah i vetëm përballë portierit nuk arrin që të çojë topin në rrjetë. Në momentin më të mirë të Skëndërbeut, godet Vllaznia, që gjen golin e barazimit me Da Silvën (41'), pas një gabimi të mbrojtësve korçarë. Mbyllet 1-1 pjesa e parë.

Shkodranët nisin më mirë pjesën e dytë dhe përmbysin gjithçka me Mustedanagic (52'), që shënon golin e dytë për Vllazninë . Provon edhe Kruja, por portieri Rexhepi nuk lejon që porta e tij të preket. Edhe Aralica tenton golin, por gjuajtja e tij nuk ka forcën e duhur.

Tensionohet sfida dhe kapiteni Zguro është gjithmonë protagonist. Rexhepi është sërish në lartësinë e duhur dhe i mohon golin Fjoart Jonuzit. Jurgen Vrapi fiton duelin me Zogovic dhe fiton një penallti për Skënderbeun. Pas ndërhyrjes së VAR, gjyqtari Alla ndëshkon me karton të kuq portierin e Vllaznisë.

Zguro tregohet i saktë nga pika e bardhë (83') dhe ka sërish barazpeshë në Korçë. Skënderbeu kërkon të shfrytëzojë avantazhin numerik dhe hidhet në kërkim të golit të fitores. Edhe Vllaznia nuk pajtohet me këtë rezultat dhe mundohet të marrë maksimumin nga kjo sfidë. Pas shtatë minutave shtesë, rezultati nuk ndryshon dhe të dyja skuadrat duhet të kënaqen me nga një pikë.

Pavarësisht pikës së marrë Skënderbeu vazhdon të qëndrojë në vendin e fundit në renditje, ndërsa Vllaznia nuk arrin që të marrë një fitore që do ta ngjiste akoma më lart në renditje.