SPORT, 23 Shkurt 2022, 23:08

Champions League/ Traversa i mohon fitoren Atletiko Madrid ndaj Mançester Junajtid, Benfika dhe Ajaksi bëjnë “paqe”

Champions League/ Traversa i mohon fitoren Atletiko Madrid ndaj Mançester

Atletiko Madrid dhe Mançester Junajtid janë ndarë në një barazim 1-1 në ndeshjen e parë mes tyre në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve.

Zhoao Feliks i dha shpejt avantazhin skuadrës spanjolle me golin e tij me një fluturim spektakolar që në minutën e 7 të ndeshjes. Madrilenët dominuan pjesën e parë ndaj Junajtid që dukej në një ditë të keqe dhe thuajse nuk rrezikoi asnjëherë portën e Oblak. Nga ana tjetër, vetëm traversa e shpëtoi nga goli i dytë, pas goditjes me kokë të Vrsajlko në fund të pjesës së parë.

E njëjta tablo u shfaq edhe në të dytën, me Atletikon e vëmendshëm që nuk la hapësira për emra si Ronaldo e Rashford. Por pavëmendja e parë e madrilenëve i dha mundësinë Mançesterit të kundërsulmonte rrezikshëm me 19-vjeçarin Elanga i cili tundi rrjetën pas një sprinti të shpejtë.

Atletiko u hodh i tëri në sulm në fund, në kërkim të një goli tjetër, por Grizman u ndal përsëri nga traversa e anglezëve, duke bërë që sfida të mbyllej me barazimin 1-1 që lë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit mes dy ekipeve.

Është mbyllur në barazim 2-2 akti i parë i duelit mes Benfikës dhe Ajaksit i vlefshëm për fazën e  1/8-ave të Championsit. Një rezultat ky që le gjithçka të hapur për në sfidën e kthimit, teksa holandezët duken më të favorizuar pasi do të luajnë në shtëpi.

Tadiç hapi serinë e golave në minutën e 18-të, ndërkohë që autogoli i Hallerit në minutën e 26-të, vendosi baraspeshën. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtit rëmbeu sërish skenën teksa në minutën e 29-të, realizoi golin e dytë për Ajaksin, duke shlyer kështu autogolin e shkaktuar.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2 të miqve, ndërkohë që në minutën e72-të, Jaremçuk, riktheu baraspeshën, ku përfitoi pas një grushtimi jo të saktë nga ana e portierit Pasvir, duke mbajtur gjallë shpresën për kualifikim.