TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dinamo dhe Partizani kanë mbyllur me një barazim pa gola ndeshjen e tyre në “Elbasan Arena”, duke konfirmuar se nuk po kalojnë një moment shumë të mirë.
VAR-i bëhet sërish vendimtar, pasi anulon një penallti të dhënë në favor të Dinamos, që mund të ndryshonte fatin e kësaj sfide. Një barazim, që nuk kënaq ambiciet e dy skuadrave, që komplikojnë objektivat e tyre sezonal.
Derbi i kryeqytetit luhet në “Elbasan Arena” në praninë e pak tifozëve. Partizani shfaqet i pari rrezikshëm me Rrapaj, që godet nga distanca, por portieri Harizaj është i vëmendshëm. Ibraimi jep sinjalin e parë për Dinamon, por portieri Hoxha reagon duke ruajtur portën të paprekur.
Sfida është e luftuar por mungojnë rastet e pastra për shënim. Në fund të pjesës së parë, Partizani i afrohet golit fillimisht me Malën dhe më pas me Carën dhe Kallakun, por Harizaj është i pakalueshëm.
Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, ndërsa e dyta nis me të njëjtin ritëm. Skuadrat duket se kanë frikë nga humbja dhe nuk hidhen në aventurë. Kallaku provon nga larg, por goditja e tij nuk është e saktë. Provon edhe Skuka, por Harizaj nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë.
Momenti më i rëndësishëm i derbit ndodh në minutën e 76-të. Gjyqtari Jorgji jep penallti për Dinamon dhe ndëshkon me karton të kuq Muratajn. Por ndërhyn VAR, që anulon penalltinë për skuadrën blu, që duhet të kënaqet me një goditje dënimi.
Djemtë e Devollit, në superioritet numerik, mundohen që të gjejnë golin e fitores, por edhe “të kuqtë” zbresin rrezikshëm dhe i afrohen golit me Kallakun. Dinamo mundohet të marrë tre pikë shprese, por nuk arrin që të zhbllokojë këtë sfidë.