AKTUALITET, 5 Prill 2019, 17:59

Refugjatët, kreu i Kufirit në Gjirokastër: Mund të hyjmë në emergjencë kombëtare

Refugjatët, kreu i Kufirit në Gjirokastër: Mund të

Lajmi i përhapur me shpejtësi në Turqi se kufijtë drejt vendeve të BE-së janë të hapura dhe se mund të organizojnë një kalim në grup, ka bërë që një numër i madh emigrantësh të niset drejt Greqisë.

Bëhet fjalë për mijëra persona, të cilët pasi të mbërrijnë në Greqi, do t’i drejtohen kufirit të vendit tonë. Kjo ka vënë në alarm autoritetet vendëse, të cilat nuk kanë kapacitet për të pritur fluks të lartë refugjatësh. Gjatë 2019-ës, në pikat kufitare me Greqinë është shënuar shtim i fluksit të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme.

Ndonëse ka mungesë të vazhdueshme të raportimeve sistematike të Policisë së Kufirit, që ka krijuar në publik idenë se situata e fluksit të refugjatëve ishte shuar, shifrat flasin për një numër të konsiderueshëm personash nga këto vende, të cilët kanë kaluar kufirin shqiptar në pikat kufitare.

Në një takim në prefekturën e Gjirokastrës, drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër pohoi se fluksi ka shënuar rritje përgjatë muajve të fundit, ku vetëm në dy ditë drejt qendrës së pritjes në Tiranë janë nisur nga Gjirokastra 65 persona. Praktikat e pranimit në azil përfitohen përgjithësisht nga familjarë, gra e fëmijë, ndërsa meshkujt e pashoqëruar kthehen sërish në shtetin grek. Kjo tregon për një shifër më të lartë të personave, që kanë kaluar kufirin në kërkim të azilit.

Destinacioni përfundimtar i shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme mbeten gjithmonë vendet e Europës Perëndimore, ndërsa Greqia dhe Shqipëria janë vendkalimi kryesor i tyre drejt Perëndimit. Kreu i Kufitarit në Gjirokastër, Idajet Hoxha, pohoi se pritet një fluks në rritje refugjatësh.

Sipas tij, nëse do të mbërrinte vetëm 10% e sasisë së raportuar nga burime të pakonfirmuara, Shqipëria do të futej në emergjencë kombëtare, pasi vendi ynë nuk ka kapacitetet e nevojshme pritëse për një fluks kaq të madh refugjatësh.

“Panorama” mësoi se situata ka shqetësuar edhe shtetin grek, sepse karvani me mijëra njerëz që mendohet se do të nisen nga Turqia, do të kalojë në Greqi dhe Shqipëri. Një pjesë e këtyre njerëzve do të mbeten në këto vende, ndërsa të tjerë do të vijojnë udhëtimin drejt Perëndimit të Europës. Burime jozyrtare, të konfirmuara edhe nga burime në shtetin fqinj grek, flasin për masa të rrepta të palës greke, që ka përforcuar kufirin me trupa ushtarake për të penguar futjen e këtij karvani në kufirin e saj.

Pas interesimit të saj, “Panorama” mësoi se qendra e pritjes së klandestinëve në Babrru tashmë i ka kaluar kapacitetet e veta akomoduese, duke mos pasur më mundësi strehimi të refugjatëve dhe klandestinëve, që hyjnë nga pikat tona kufitare. Duket se asnjë prej dy shteteve nuk ka interes të mirëpresë këtë fluks në rritje të refugjatëve, që do të shkaktonte probleme sociale dhe financiare për shtetet respektive.