AKTUALITET, 10 November 2026, 12:57

Buxheti/ U anulua tenderi 48 milionë eurosh, Hemodializa nis të ofrohet nga shteti. Spahiu: 500 pacientë kanë marrë shërbim

Buxheti/ U anulua tenderi 48 milionë eurosh, Hemodializa nis të

Shërbimi i hemodializës ka nisur të ofrohet nga shteti prej disa ditësh dhe 500 pacientë kanë marrë shërbim në sistemin publik, tha ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu në Komisionin e Ekonomisë. Sipas saj, transporti mbetet një problem, veçanërisht për pacientët me aftësi të kufizuara, pwr tw cilwt ministria do të shqyrtojë mundësinë e rritjes së pagesës për transportin e tyre.

"Pasi mora detyrën, pata një sinjalizim nga kolegët e opozitës për abuzim me procedurën e OSHISH-it për dializën. Pas këtij sinjalizimi, kërkova një auditim, i cili konstatoi një abuzim. Auditimi na shërbeu për të rivlerësuar dhe riformatuar procedurën për shërbimin e dializës. Për këtë, falënderoj opozitën për vigjilencën.

Hemodializa ka filluar prej disa ditësh, pra ky shërbim i ka kaluar shtetit. Shërbimi për 500 pacientët që kanë kaluar në shërbimin publik, ka qenë në standard të mirë, me kontroll të detajuar, ndjekje në sistem sipas protokollit, ne duam që kjo cilësi të mos ulet por të rritet edhe më shumë. Një kërkesë që i duhet gjetur zgjidhja është transporti.

Do përpiqemi që kjo problematikë të zgjidhet, sidomos edhe për ata pacientë që janë me aftësi të kufizuar. Do të gjejmë mënyrën për ta rritur pagesën për këta pacientë", tha Spahiu. 
Kalimi i hemodializës te shteti vjen pas anulimit të tenderit prej 48 milionë eurosh pa TVSH, që parashikonte ofrimin e shërbimit për katër vjet në pesë spitale publike. Në atë garë ishte shpallur fituese kompania Diaverum AB, e cila e ofronte shërbimin me koncesion. Ministrja Klodiana Spahiu e cilësoi tenderin “një procedurë të hapur mbrapsht”.