TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Lufta kundër krimit nuk është një garë statistikash, por një detyrim ndaj njerëzve që presin nga ne më shumë siguri, qetësi dhe mbrojtje”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë konferencës së përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, ku u prezantuan rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar për vitin 2026.
Demo theksoi se suksesi i Policisë nuk duhet të matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo sipërfaqeve të kontrolluara, por mbi të gjitha me sigurinë që ndiejnë qytetarët dhe kufizimin e hapësirave ku veprojnë grupet kriminale.
“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”, deklaroi ministri.
Ai u ndal veçanërisht te goditja e financave të grupeve kriminale, duke theksuar se arrestimi i anëtarëve të tyre nuk është i mjaftueshëm për të ndalur aktivitetin e paligjshëm.
Sipas Demos, hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane, bashkëpunimi me strukturat antimafia dhe sekuestrimi i pasurive kriminale janë thelbësore për të dobësuar organizatat kriminale dhe për të penguar rikthimin e tyre në aktivitet.
“Ka një besim reciprok institucional për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian evidenton bashkëpunimin. Operacionet e përbashkëta me partnerët janë rritur më shumë se 52 për qind”, u shpreh Demo.
Duke folur për bashkëpunimin 15-vjeçar me Guardia di Finanza-n, Demo e lidhi çështjen e sigurisë edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Ne nuk mund të pretendojmë që një vend mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik, nëse nuk e ka sigurinë në nivelet e duhura. Ne nuk duhet ta shohim Europën thjesht si një destinacion ku duhet të përgatitemi dhe të mbrohemi edhe nga fenomenet që vijnë prej saj, por duhet të jemi kontribuues në sigurinë e Bashkimit Europian në tërësi”, u shpreh Demo.
