AKTUALITET, 10 November 2026, 13:11

Ekzekutoi shqiptarin me armë zjarri, Prokuroria në Itali kërkon 24 vite burg për autorin

Ekzekutoi shqiptarin me armë zjarri, Prokuroria në Itali kërkon

Prokuroria italiane ka kërkuar 24 vite burg për Moreno Violetton, 45 vjeç, i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Fatos Cenaj, 59 vjeç, ish-punonjës sigurie, i cili u ekzekutua me armë zjarri në qershor të vitit 2025 në Fontaniva, në provincën e Padovës.

Kërkesa për dënimin u paraqit të hënën, më 9 nëntor 2026, nga prokurorja Maria Ignazia D’Arpa. Violetto, i cili ka pranuar autorësinë e krimit, akuzohet për vrasje me dashje.

Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 8 qershor 2025, kur Fatos Cenaj u qëllua me armë në kokë, ndërsa po udhëtonte me biçikletë.

Nga rindërtimi i ngjarjes prej hetuesve të Karabinierëve, dyshohet se autori e qëlloi shqiptarin nga një distancë e afërt. Shkak për krimin dyshohet të kenë qenë konfliktet e vazhdueshme mes fqinjëve.

Pas vrasjes, 45-vjeçari italian dyshohet se u përpoq të pengonte zbardhjen e ngjarjes, duke u maskuar dhe duke ndërhyrë në oraret e regjistruara nga kamera e sigurisë në banesën e tij, me qëllim krijimin e një alibie.

Ai u arrestua në dhjetor të vitit 2025, disa muaj pas ngjarjes.