AKTUALITET, 15 Nëntor 2017, 21:18

Presidenti Meta merr si këshilltar për sigurinë ish-kreun e SHISH

Presidenti Meta merr si këshilltar për sigurinë ish-kreun e SHISH

 

Mësohet se Presidenti Ilir Meta, ka vendosur të emërojë si këshilltar për sigurinë, ish-kreun e SHISH, Bahri Shaqiri.

Ai ka qenë kreu i SHISH nga viti 2005 deri në 2012  dhe më pas zëvendës minsitër i Transporteve.

Kush është Bahri Shaqiri ?

Para emërimit të tij si Këshilltar i Presidentit, Shaqiri ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, prej muajit Shkurt 2016. Shaqiri ka shërbyer pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në postin e Këshilltarit të Ministrit të Mbrojtjes, në periudhën 2014 – 2015.

Shaqiri ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) për një periudhë rreth tetë vjeçare, prej vitit 2005 deri në vitin 2012. Karrierën e tij në SHISH e ka nisur në vitin 2002, si Shef i Kabinetit të Drejtorit të SHISH, dhe njëherazi Përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Shaqiri ka qenë anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nga 2005 deri në vitin 2012, si dhe anëtar i Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë Kombëtare, nga viti 2005 deri në vitin 2012.

Përgjatë viteve, Shaqiri ka kryer trajnime në fushën e sigurisë kombëtare dhe të menaxhimit. Më herët, Shaqiri ka qenë i angazhuar në sektorin privat për tetë vjet, si jurist dhe këshilltar ligjor, prej vitit 1994 deri në vitin 2002. Shaqiri e nisi karrierën e tij, pas diplomimit, si jurist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Financiare, ku shërbeu prej vitit 1992 deri në vitin 1994.

Në vitin 2005 i është akorduar titulli ‘Avokat’ nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë. Ndërsa në vitin 2009 është certifikuar auditues i brendshëm në sektorin publik nga Ministria e Financave.