AKTUALITET, 25 Tetor 2017, 17:12

Përse e humbi kontrollin Edi Rama?

Përse e humbi kontrollin Edi Rama?

 

Kryeministrin Edi Rama, duket se e kanë lënë plotësisht nervat. I gjendur nën një presion të jashtëzakonshëm me skandalin Tahiri, që dukshëm nuk po e menaxhon dot, Rama po shpërfytyrohet çdo ditë e më shumë në sytë e publikut.

Pasi pengoi arrestimin e Saimir Tahirit, Edi Rama, mori fjalën në Kuvend, jo për të folur për Saimir Tahirin dhe bëmat e tij, por kryesisht për të sulmuar opozitën. Megjithatë kampi opozitar, i kishte organizuar një surprizë të hidhur kryeministrit. Sapo Rama mori fjalën, deputetët opozitarë u larguan nga salla, duke i nxjerrë kryeministrit totalisht jashtë loje, fjalimin e tij.

Duket se të gjithë baterenë e ofendimeve që nuk e zbarzi dot mbi opozitën, Rama e kanalizoi me shpejtësi tek gazetarët që e prisnin jashtë sallës, të cilët i quajti “të paaftë, të palexuar, të paditur, injorantë”. Mirëpo, në nxitimin për të thënë sa më shumë epitete dhe ofendime, Rama u ngatërruar keq edhe në mbrojtjen që po i bënte Tahirit. Ai bëri një paralelizëm mes kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Tahirit dhe arrestimin e gazetarëve nga pronarët (!) pa patur prova.

Është paradoksale që një njeri që sapo ka lëshuar ofendime nga më banalet për gazetarët që i shfaqen përballë , të prodhojë një argument kaq qesharak, dhe të denjë vetëm për etiketimet që përdor vetë, si “injorant, i paditur, i palexuar”.

Disa analistë kanë hedhur idenë se Rama sot është në një ankth të madh, për shkak se ai nuk e di ende, se çfarë kanë zbuluar partnerët e huaj,  për ministrat apo familjarët e tij. Edi Rama po përballet ditë pas dite, me surpriza që i vijnë përtej Adriatikut, në formën e dosjeve, fashikujve, përgjimeve e artikujve, për bashkëpunëtorin e tij më të afërt, Saimir Tahirin.

Atij i duhet të ballafaqohet sot me poshtërimin dhe denigrimin, që i bëri dikur, Dritan Zaganit, kur fliste për makinën e ministrit të brendshëm, që përdorej nga trafikantët.

Ramës i duhet të përballet me ata që sot ja përplasin në fytyrë deklaratat se policia shqiptare lufton krimin dhe drogën, dhe se në vendin tonë janë asgjësuar 99.6% e drogës, në një kohë kur janë shpërfaqur dyshime serioze se drejtuesit më të rëndësishëm të policisë mund të jenë të implikuar direkt në trafikun e drogës.

Në fund, mes gjithë këtyre situatave me të cilat duhet të përballet, Edi Ramës i duhet të vazhdojë të qeverisë  vendin.

I gjendur nën këtë presion të jashtëzakonshëm, shpërthimi i sotëm i Ramës, është i kuptueshëm. Rilindja e tij, po kalbet me shpejtësi dhe ai nuk e ka më fuqinë ta ndalë këtë degradim.

/TPZ.AL/