TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkon ndërhyrjen e Parlamentit për zgjidhjen e ngërçit institucional mes GJKKO dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Blushi shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e konfliktit, duke theksuar se situata ka sjellë edhe bojkotimin e seancave për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurimit. Sipas deputetit, përplasja nuk mund të konsiderohet më një mosmarrëveshje e zakonshme administrative apo ndërinstitucionale, pasi rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e proceseve penale, ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe respektimin e afateve procedurale.
“Është veçanërisht shqetësuese që avokatët ndodhen përballë një situate ku, nga njëra anë, përballen me detyrimin për të respektuar vendimmarrjen e organeve të tyre profesionale dhe, nga ana tjetër, me masa dhe pasoja procedurale të vendosura nga gjykata. Krijimi i një përplasjeje të tillë nuk i shërben as administrimit të drejtësisë, as funksionimit të pavarur të gjyqësorit dhe as ushtrimit të lirë dhe efektiv të profesionit të avokatit.
Rregullorja e Kuvendit, në nenin 18, përcakton se komisionet e përhershme, sipas fushave të përgjegjësisë, ndjekin zbatimin e ligjeve dhe kontrollojnë veprimtarinë e organeve përkatëse, duke propozuar marrjen e masave përkatëse. Ndërkohë, neni 102 u njeh komisioneve të përhershme të drejtën të kërkojnë shpjegime dhe informacion nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, si dhe të kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të zhvillojnë kontrolle lidhur me çështje brenda fushës së tyre të përgjegjësisë”, thuhet ne kerkesen e depozituar nga Tedi Blushi.
Blushi kërkon që Kuvendi të thërrasë urgjentisht një seancë dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionit për Nismat Qytetare. Ai kërkon që në këto seanca të marrin pjesë përfaqësues të GJKKO-së, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera që do të konsiderohen të nevojshme.