TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pavarësisht se gratë janë më të arsimuara, ato punojnë më pak në krahasim me burrat. Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se hendeku gjinor në vendin tonë vijon të jetë i madh. Ekspertja e punësimit, Gertjana Hasalla shprehet se kjo lidhet me stereotipet që vijojnë të jenë prezente, ku përgjithësisht gratë zgjedhin profile të cilat nuk ofrojnë paga të larta.
“Shumë vajza dhe gra kanë zgjedhur të shkojnë në arsim të lartë, të marrin një diplomë, por në krahasim me burrat shumë pak prej tyre punojnë, ose angazhohen në punë të cilat nuk paguhen shumë. Kjo ka të bëjë edhe me stereotipet gjinore që janë të futura tek ne që në fëmijëri. Në sensin që gratë mund të zgjedhin punë të cilat janë të lidhura ose me shkencat sociale, mësuesinë, pra punë të cilat nuk paguajnë shumë para. Ndërsa burrat kanë tendencën që të zgjedhin profesione të cilat janë më fitimprurëse. Pra, ka gjithmonë një element social, edhe çështja e punësimit, edhe fakti që gratë paguhen më pak sot për sot në Shqipëri”, thotë Hasalla.
Edhe shifra e grave që punojnë në bizneset familjare dhe nuk paguhen, sipas Hasallës është një tjetër e dhënë shqetësuese.
“Një tjetër e dhënë interesante që doli është fakti që gratë dhe vajzat punojnë në bizneset familjare, por nuk paguhen. Parimisht, kur mendon për këtë thua që po kontribuojnë në ekonominë familjare. Por kjo përqindje nuk është e njëjtë me burrat dhe nuk janë burrat ata që nuk paguhen në këto raste. Pra, në të ardhmen, kur një grua të dalë në pension, do të ketë më pak vite të siguruara dhe do të marrë një pension më të ulët. Kjo ndikon në varfërinë e grave dhe vajzave”, thekson ekspertja.
Gjithashtu, në vendin tonë barra e punës së papaguar bie kryesisht mbi gratë, të cilat, përveç punës jashtë shtëpisë, marrin përsipër pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë dhe kujdesit për familjen.