AKTUALITET, 23 September 2026, 14:24

Biznesi shqiptar përdor inteligjencën artificiale/ INSTAT: Gjatë këtij viti e përdorin mbi 28 përqind e ndërmarrjeve të mëdha

Biznesi shqiptar po përdor gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale.

Të dhënat e vitit 2026 tregojnë se përdorimi i kësaj teknologjie është rritur veçanërisht në ndërmarrjet e mëdha, me mbi 250 të punësuar. Në vitin 2025, 24.8% e këtyre ndërmarrjeve përdornin inteligjencën artificiale, ndërsa në vitin 2026 kjo shifër është rritur në mbi  28%, ose 3.3 pikë përqindjeje më shumë brenda një viti. Por teknologjia nuk ndalet vetëm tek inteligjenca artificiale.

Bizneset po i drejtohen gjithnjë e më shumë teknologjisë edhe për shërbime të tjera. Në krye të këtij zhvillimi janë mediat sociale. Ndërmarrjet e vogla, me 10 deri në 49 të punësuar, kanë shënuar rritjen më të madhe. Sipas të dhënave të INSTAT  në vitin 2026 kjo shifër është ngjitur në  mbi 87% duke regjistruar rritje krahasuar me një vit më parë. Mediat sociale janë më të përhapura në tregtinë me shumicë dhe pakicë, të ndjekura nga transporti dhe magazinimi si dhe aktivitetet e energjisë, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve

Një ndryshim edhe më i dukshëm vihet re tek shitjet online. Ndërmarrjet e mesme, me 50 deri në 249 të punësuar, kanë rritur ndjeshëm përdorimin e kanaleve online për shitje. Nëse vërejmë shifrat konstatojmë një rritje me 8.7 % të shitjeve online

Të dhënat tregojnë se transformimi digjital po prek nivele të ndryshme të biznesit. Nga rrjetet sociale, që përdoren kryesisht për komunikim dhe promovim, te shitjet online dhe tashmë edhe inteligjenca artificiale, teknologjia po bëhet pjesë e aktivitetit të përditshëm të ndërmarrjeve. Ndërsa këto shifra vijojnë të rriten, sfida për bizneset mbetet përshtatja me teknologjitë e reja dhe përdorimi i tyre për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.