AKTUALITET, 23 September 2026, 14:27

Sulmoi dhe i mori çantën një turisteje gjermane, zbardhet grabitja te Liqeni Artificial, arrestohet autori

Një shtetase gjermane ka rënë pre e një grabitjeje me dhunë dhe kërcënuar me thikë te Liqeni Artificial në Tiranë. Policia ka identifikuar dhe arrestuar në kohë rekord 41-vjeçarin, Jetnor Salla, i dyshuar si autor i ngjarjes, ndërsa sendet personale të grabitura i janë sekuestruar dhe më pas i janë kthyer 50-vjeçares.

“I vodhi me dhunë çantën me sende personale, një shtetaseje gjermane, duke e kanosur me thikë, te Liqeni Artificial, identifikohet dhe arrestohet në kohë rekord 41-vjeçari. Një ditë pasi iu vodh me dhunë çanta me sende personale, nën kërcënimin e thikës, te Liqeni Artificial, shtetasja gjermane T. K., 50 vjeçe, është paraqitur pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, për të falënderuar efektivët që u angazhuan për zbardhjen e rastit.

Duke vlerësuar reagimin e shpejtë të Policisë, identifikimin dhe arrestimin në kohë rekord të autorit të dyshuar, si dhe gjetjen e sendeve të saj personale, shtetasja gjermane ka shprehur mirënjohjen e saj për punën dhe profesionalizmin e efektivëve të Policisë së Komisariatit Nr. 1. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen me dhunë, organizuan operacionin policor të koduar “Reaction”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se i ka vjedhur me dhunë çantën me sende personale shtetases gjermane, duke e kanosur me thikë. Sendet e vjedhura janë gjetur dhe i janë dorëzuar 50-vjeçares. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë””, thuhet në njoftimin e policisë.