TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rreth 700 ha tokë në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër janë zhytur nën ujë. Shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë bërë që të rritet niveli i ujit, duke çuar në bllokimin e rrugës së fshatit Obot i Vjetër, i cili është më i prekur nga përmbytjet. E vetmja mënyrë për të kaluar në këtë aks është përmes mjeteve të larta. Situata e krijuar ka indinjuar banorët e zonës, të cilët pohuan se janë dëmtuar ekonomikisht, pasi tokat e tyre bujqësore janë përmbytur. Ata kërkojnë dëmshpërblim, ndërsa bënë apel për menaxhim më të mirë të hidrocentraleve dhe të mos ketë shkarkime të mëdha, pasi harta e përmbytjes mund të jetë edhe më e madhe.
Ndërkohë, burime zyrtare nga Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) bënë me dije se përmbytjet nuk janë shkaktuar nga shkarkimet në hidrocentrale. “Referuar disa pretendimeve të ngritura në media nga funksionarë politikë për përmbytje të disa parcelave në Njësinë Administrative Ana e Malit (fshatrat Oblike, Gorice dhe Obot), KESH sqaron opinionin publik se në këto zona ka pasur përmbytje të disa parcelave, por ato kanë ndodhur për shkak të reshjeve të dendura të shiut të datës 2 mars 2018 dhe nuk kanë lidhje me programin e shkarkimeve të kontrolluara nga korporata. Këto parcela ndodhen në kuota shumë të ulëta (thuajse në nivelin e shtratit të lumit Buna) dhe çdo herë që ndodhin reshje të dendura shiu, kanalet kulluese bëjnë funksionin e kundërt, marrin ujë nga Buna dhe e shpërndajnë në zonat më të ulëta të atyre fushave”, thuhet në njoftimin e KESH.
BANORËT
Përmbytjet e shkaktuara në disa fshatra zonës Ana e Malit kanë shkaktuar panik tek banorët. “Uji ka dy ditë këtu në fushën e Obotit. Mbi 70% të tokave janë të përmbytura. Kam frikë se uji do shtohet. Përmbytja ka ardhur nga hidrocentrali i Vaut Dejës, nga shkarkimet që janë bërë. Ne duam të gjitha dëmshpërblimet, pasi dëmi ekonomik që na është shkaktuar për faj të shtetit është i konsiderueshëm. Janë shumë familje si unë. Shumë familje të tjera kanë emigruar dhe po e lënë këtë vend. Do iki në Itali, sepse më dhimbset mundi që kam bërë e që po na e merr uji. Nuk na ka njoftuar askush se do kishte shkarkime nga hidrocentrali. Këtu nuk ka shtet”, u shpreh Gjon Pema nga fshati Obot i Shkodrës. Ndërkaq, banorët kanë frikë se uji mund të përmbyt edhe në banesat e atyre, ashtu siç ndodhi në vitin 2010. “Situata është e vështirë, uji po shtohet, tokat dhe serat janë duke u përmbytur të gjitha. Dëmi sa vjen dhe rritet. Rruga është e bllokuar dhe kjo për shkak të shkarkimeve nga hidrocentralet. Këta nuk kanë llogaritur se bora e rënë do shkrihet dhe të mbajnë në kuota hidrocentralet. Kemi frikë se do na vijë uji edhe në banesa”, tha Rrok Pemaj, banor në Obot.
Ndërsa Gregor Pema tha se, “një pjesë e mirë fushës së Obotit është plot me ujë dhe ne kemi shumë vështirësi këtu. Të mbjellat tona po shkojnë dëm të gjitha. Nëse hidrocentralet shkarkojnë pa limit, atëherë rrezikojnë të përmbyten edhe banesat. Uji erdhi nga hidrocentralet, ndërsa kemi frikë se niveli i ujit mund të rritet, sepse pritet që të ketë sërish reshje shiu. Bëj thirrje që të menaxhojnë hidrocentralet dhe të mos shkarkohet pa rregull. Në shkojmë në shtëpi vetëm me makinën e ushtrisë se nuk kalohet ndryshe”. “Brenda një viti Oboti është përmbytur katër herë”, deklaroi Arben Ceni, administrator i njësisë administrative, Ana e Malit. “Për tre muaj kemi pasur tri herë përmbytje këtu. Janë afro 700 ha tokë nën ujë, ndërsa për një vit është hera e katërt që kemi përmbytje. Po më duket kjo histori si përralla e mushkonjës, sepse ne ngremë zërin, por nuk ka asnjë masë apo reagim nga institucionet e tjera, si hidrocentralet për të ditur sa është niveli dhe si do veprohet. 2 ha janë sera janë dëmtuar. Kemi nevojë për bazë ushqimore për bagëtitë. Kjo përmbytje është totalisht nga shkarkimet e hidrocentraleve. Në Obot kemi rrugën e bllokuar, ndërsa në fshatin Muriqan situata është edhe më problematike, sepse uji po u afrohet banesave. Ndërsa po shtohen tokat e përmbytura në fshatin Oblikë dhe po rrezikohet ujësjellësi i këtij fshati, nga i cili furnizohen një numër i madh familjesh që mund të mbesin pa ujë. Kërkojmë nga autoritetet që të ketë një menaxhim të duhur të hidrocentraleve, sepse do ketë sërish reshje shiu dhe përmbytja mund të shtohet”, pohoi administratori Arben Ceni.