TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, nënjë konferencë për shtyp, ka dhënë të tjera detaje për procesin e Vettingut në Policinë e Shtetit, pas miratimit të ligjit nga Kuvendi.
Në fjalën e tij Hodaj tha se procesi është ndërtuar për të siguruar një vlerësim të ndershëm, të pavarur si dhe për të pastruar një herë e mirë figurën e policisë së Shtetit.
Ndërsa thekson se 19 amendamentet e paraqitura nga LSI janë vlerësuar dhe për një pjesë të tyre është gjetur dakordësia edhe nga radhët e mazhorancës.
“Në këtë kontekst vlerësojmë qëndrimin e grupit parlamentar të LSI dhe sidomos të deputetëve të përfshirë direkt në diskutime konstruktive. Nga ana tjetër shprehim keqardhje për një pjesë të opozitës, sidomos të disa deputetëve, që pavarësisht trumbetimit me të madhe të detyrimit për konsolidim të agjencive ligjzbatuese, nuk dëshiruan të ishin pjesë e diskutimeve apo të kontribuonin në miratimin e këtij projektligji”, është shprehur ndër të tjera Hodaj.
Më tej zv/ministri tha se procesi i vlerësimit, të paktën ai kalimtar të përfundojë brenda 24 muajsh ose 2 vjet.
“Është parashikuar që procesi duhet të përfundojë, të paktën vlerësimi kalimtar, sepse vlerësimi periodik është pjesa tjetër, vlerësimi kalimtar është parashikuar të përfundojë brenda 24 muajsh nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, për të gjithë punonjësit e policisë, jo vetëm për drejtuesit. Nëse e keni parasysh, procesi është i strukturuar në tre faza, në varësi të gradave. Gradat e larta janë 300 punonjës, gradat e mesme janë rreth 3 mijë punonjës dhe punonjës të nivelit zbatues janë rreth 9 mijë. Ne mendojmë që i gjithë procesi do të mbyllet në harkun kohor të 24 muajve.” tha zv/ministri
Ndërkohë që në fund paralajmëroi efektivët që duan të dorëhiqen, ta bëjnë këtë brenda 30 ditëve nga miratimi i ligjit.
“Ligji parashikon që në rast se dikush do të dorëhiqet e ka mundësinë ta bëjë brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit. Besoj se atëherë do ta marrim vesh, nëse ka njerëz që do të largohen ose jo. Faleminderit!” përfundoi Hodaj