AKTUALITET, 6 Mars 2018, 12:53

Lëvizja, Pollo: Patozi dhe Bode mistrecë, rrinë me llastiqe në xhep

Lëvizja, Pollo: Patozi dhe Bode mistrecë, rrinë me llastiqe

Astrit Patozi paralajmëroi krijimin e një force të re politike brenda të djathtës, por demokratët apelojnë për bashkimin e së djathtës dhe jo ndarjen përballë një mazhorance të lidhur me krimin dhe korrupsionin. I pyetur për krijimin e një partie të re nga Patozi, Bode dhe Topalli, Pollo komentoi pa shumë elegancë, duke u shprehur qartazi se, “varet nga frëngjia që zgjedh, varet nga llogorja që zë.

Nëse bën mistrecllëqe me llastik në xhepa për të thyer xhamat diku, edhe ato të opozitës, nuk është gjëja më e mirë që mund të bësh. Shpresoj të kemi zhvillime pozitive në këtë sens që unë flas, pra që gjithkush të jetë kundër të keqes që ka mbërthyer vendin”, deklaroi z.Pollo. Por, a është Partia Demokratike e rrezikuar nga partia e re që ka paralajmëruar z.Astrit Patozi? Deputeti Flamur Noka përgjigjet: “Ka parë Partia Demokratike shumë lëvizje.

Shumë lëvizje, por të gjithë janë rikthyer prapë në PD, kështu që mos u merrni me lëvizje”. Nga ana e tij, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi mirëpret çdo lëvizje të re brenda së djathtës. “Unë uroj që të ketë lëvizje. Deri tani unë gjykoj që jemi në propozime politike.

Unë çdo ngjarje që lëviz brenda hapësirës të së djathtës e konsideroj shenjë pozitive. Linja e kuqe është me palën tjetër. Shumë vite me radhë kemi bërë më shumë problem hallet që kemi midis nesh dhe rivalitetin sesa raportin që kemi me kundërshtarin”, deklaroi z.Shehi. Nga ana e tij, deputeti Tritan Shehu mendon se PD është Partie e madhe Demokratike, me hapësira për të gjithë për ata që dëshirojnë dhe ndjenjë vetën për të bashkëpunuar më të.

“Padyshim, dikush mund të ketë një problem, por mendoj se midis nesh ka hapësira për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të qenë së bashku, pavarësisht je apo nuk je në parlament për të vijuar për të punuar së bashku në këtë forcë kaq të madhe dhe të vetmen forcë opozitare që ka Shqipëria. PD duhet të mendojë për t’u bashkuar, për të qenë së bashku dhe jo për t’u ndarë. Ndarjet edhe në eksperiencat e viteve të kaluara treguan që nuk patën sukses, përkundër përfunduan me bashkime që na dhanë forcë”, tha z.Shehu. Kurse kryerepublikani Fatmir Mediu apeloi për bashkim të opozitës dhe jo shpërndarje. “Mendoj se është e domosdoshme që opozita të bashkojë të gjithë forcat dhe energjitë që ka.

Padyshim që Basha në pozicionin e tij si kryetar i PD-së duhet të gjejë patjetër rrugët për të ofruar mundësitë që gjithsecili të bëhet pjesë e së djathtës. Çdo ndarje e së djathtës në segmente mendoj që do të kishte probleme dhe fraksionime, që s’i shërbejnë qëllimit që ajo ka”, theksoi z.Mediu. Deputeti Ervin Salianji e komentoi me ironi nismën e Patozit, se partitë nuk mund të nisin pas disa gotave me raki të konsumuara nëpër restorante.

“Pa diskutim, nuk e di se që kur quhen drekat apo darkat, apo takimet për raki, takime apo aktivitete për të krijuar parti, po e dëgjoj nga ju. Unë di që z.Patozi dhe z.Bode kanë qenë në 3 takime në Korçë, kanë qenë në Pogradec, në Devoll, kanë qenë edhe te Malo në Korçë, në të cilin unë i kam porositur për një shishe raki, ku kanë qenë duke pirë gjashtë apo shtatë veta raki. Me çfarë më thanë pjesëtarët që kanë qenë në tavolinë, kanë folur për bashkëpunim me partinë, për të mbështetur z.Basha dhe për të qenë bashkëpunues dhe në fund pas disa gotave raki, kanë thënë se mund të bashkëpunohet më mirë me Ramën se sa me Bashën.

Nuk besoj se nga kjo fjali mund të lindë një parti politike. Partitë politike lindin o nëpër katedra, o nga lëvizjet shoqërore dhe kurrë nga rakia. Dhe nuk besoj se duhet të ngrihet në këtë nivel thashethemi për personazhe të politikës”, tha z.Salianji.