AKTUALITET, 8 August 2026, 12:02

Për herë të parë, Forcat e Armatosura pajisen me mjete taktike “Made in Albania” sipas standardeve të NATO-s

Forcat e Armatosura kanë në dispozicion për herë të parë mjete taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, një hap i rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe logjistike të vendit.

Në një video të publikuar nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), shefi i Sektorit të Transportit në Forcat Tokësore, Fasli Godolja, shpjegon funksionimin dhe përdorimin e mjeteve taktike të prodhuara nga kompania TIMAK.

“Kur je në terren, gjëja më e rëndësishme është të arrish shpejt dhe i sigurt. Pikërisht këtë na mundësojnë këto mjete. Falë tyre lëvizim më shpejt dhe më të sigurt. Së bashku me pajisjet e tjera, ato u japin Forcave të Armatosura kapacitetet që u duhen për çdo detyrë”, shprehet Godolja.

Ai thekson se automjetet nuk përdoren vetëm për detyra ushtarake, por mund të angazhohen edhe në emergjenca civile, përfshirë përballimin e zjarreve dhe përmbytjeve.

“Pra, kjo nuk do të thotë më shumë aftësi për Forcat e Armatosura, por edhe më shumë mbështetje për qytetarët. Jam i lumtur që kemi arritur këtë ditë dhe, për më tepër, me mjete ‘Made in Albania’”, shprehet Godolja.

Më 31 korrik u zhvillua ceremonia e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri nga “Timak Defence”, sipas standardeve të NATO-s.

Baza e re e logjistikës do të funksionojë si një kompani e ushtrisë në mbështetje të pushtetit vendor, duke zgjeruar kapacitetet për ndërhyrje dhe përballimin e situatave të emergjencave.

Ndërkohë, “Timak Defence” ka marrë porosi nga rreth 30 vende, përfshirë shtete anëtare të NATO-s, si dhe organizata ndërkombëtare, mes tyre Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.

Mjetet taktike të prodhuara në Shqipëri përfaqësojnë një tjetër hap në zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.