TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Katër shtetas shqiptarë janë lënë në burg në Itali, pasi dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal që qëndron pas disa grabitjeve të kryera në zonat e Bergamos dhe Udines.
Hetimi nisi pas grabitjes së 6 korrikut në agroturizmin Ca’ Fenile në Alzano Lombardo dhe vijoi me një tjetër grabitje në një banesë gjatë natës mes 14 dhe 15 korrikut në Lignano Sabbiadoro, në provincën e Udines. Sipas hetuesve, të dyja ngjarjet lidhen me të njëjtin grup kriminal.
Hetimi, i koordinuar nga Prokuroritë e Bergamos dhe Udines, çoi në rindërtimin e lëvizjeve të grupit dhe mbledhjen e provave që autoritetet i konsiderojnë të rëndësishme.
Kthesa në hetim erdhi gjatë një operacioni të zhvilluar në agim të 15 korrikut në një apartament në Orzinuovi, në provincën e Brescias, i cili dyshohej se shërbente si bazë logjistike e grupit. Efektivët po monitoronin të dyshuarit, pa e ditur se ata sapo kishin kryer një tjetër grabitje.
Brenda banesës u gjetën tufa me kartëmonedha 50 dhe 100 euro, pjesërisht të djegura. Sipas hetuesve, bëhej fjalë për paratë e grabitura në një vilë në Friuli, ku një sipërmarrës ishte kërcënuar me vdekje, ishte dhunuar dhe i ishin marrë rreth 115 mijë euro cash, një orë Audemars Piguet dhe dy orë të tjera me vlerë, përpara se të mbyllej në një dhomë.
Sipas gjyqtarit të hetimit, provat e mbledhura janë “të qarta dhe përputhen me njëra-tjetrën”. Hetuesit thonë se grupi vepronte me një skemë të organizuar: përdorte targa të vjedhura për lëvizje, radiomarrëse gjatë grabitjeve dhe ushtronte dhunë të fortë ndaj viktimave, duke i kërcënuar dhe mbajtur peng në banesat e tyre.
Një rol të rëndësishëm në hetim pati edhe dëshmia e vajzës 13-vjeçare të pronarit të agroturizmit Ca’ Fenile, Massimo Rizzi. Gjatë grabitjes së 6 korrikut, autorët kishin marrë rreth 70 mijë euro para në dorë, përfshirë kursimet e familjes për dhjetë vite punë, si dhe tri ora Rolex.
Vajza u dha hetuesve një përshkrim të detajuar të autorëve: pesë persona të veshur me të zeza, që dyshohet se ishin me origjinë shqiptare, ndërsa njëri prej tyre dallohej nga një kapele me qëndisje të bardhë. Ky detaj, së bashku me analizën e kamerave të sigurisë dhe automjeteve të përdorura, ndihmoi në identifikimin e bazës së grupit në provincën e Brescias.
Gjatë aksionit në Orzinuovi, disa prej të dyshuarve tentuan të shkatërronin sendet e vjedhura duke djegur një pjesë të parave. Njëri prej tyre arriti të largohej duke u hedhur nga ballkoni, ndërsa një efektiv ndërhyri duke qëlluar disa herë për të ndaluar arratinë.
Në burg ndodhen vëllezërit Kreshnik Miftari, 28 vjeç, dhe Valter Miftari, 26 vjeç, si dhe Alfret Jakimi, 29 vjeç, dhe Elvi Baci, 36 vjeç. Jakimi dhe Baci kanë ankimuar masën e sigurisë së arrestit me burg.
I vetmi që ka mundur të largohet është E.M., 37 vjeç, me precedentë të shumtë penalë, i cili sipas hetuesve dyshohet se është i përfshirë në grabitjet në Lignano Sabbiadoro dhe Alzano Lombardo. Për të është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas autoriteteve italiane, ai menaxhonte edhe një bazë tjetër logjistike në rrugën Corridoni në Bergamo, ku u sekuestruan rreth 10 mijë euro cash, sende ari, telefona celularë dhe një pasaportë false. Ndaj tij ishte gjithashtu në fuqi një urdhër arresti nga Prokuroria e Perugias për një grabitje të mëparshme.