AKTUALITET, 7 August 2026, 21:52

Radhë kilometrike në kufirin me Greqinë, pritjet në Kakavijë arrijnë deri në 5 kilometra (Video)

Mbrëmjen e së premtes, qytetarët që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë janë përballur me radhë të gjata pritjeje në anën greke të kufirit.

Radha e automjeteve që presin për përpunim në sportelet e doganës greke ka arritur në rreth 5 kilometra, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme për qindra udhëtarë.

Sipas informacioneve, fluksi i lartë i lëvizjes është shoqëruar me ritëm të ngadaltë të përpunimit të dokumenteve nga pala greke, e cila raportohet se po punon vetëm me 1 deri në 2 sportele.

Pritjet e gjata në kufi kanë zgjatur kohën e kalimit për qytetarët që po hyjnë në Shqipëri, ndërsa situata vjen në një periudhë me intensitet të lartë lëvizjesh për shkak të sezonit turistik.

Gjatë muajit gusht, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës lëvizin mesatarisht rreth 9 mijë persona në ditë në të dyja drejtimet e kufirit.