TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shefa të shërbimeve sekrete që janë arrestuar pasi kanë lënë detyrën ka plot. Ka edhe raste kur drejtues të inteligjencës janë pezulluar apo shkarkuar dhe më pas janë arrestuar ose kanë përfunduar nën hetim.
Por është shumë më e vështirë të gjesh një rast kur kreu i shërbimit sekret është ende në detyrë dhe institucionet e vendit të tij vendosin masë arresti ndaj tij.
Kjo është ajo që e bën të pazakontë rastin e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe nëse e krahasojmë me atë që ka ndodhur në vende të tjera.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga detyra. Deri në atë moment, Hyseni ishte në krye të SHISH. Ajo nuk ishte shkarkuar dhe as pezulluar më parë.
Kur kërkon raste të ngjashme në botë, dallimet fillojnë të bëhen të dukshme.
Në Danimarkë, për shembull, Lars Findsen, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Mbrojtjes, u arrestua në dhjetor 2021 nën dyshimet për nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara.
Rasti bëri shumë bujë, por nuk është i njëjtë me atë të Hysenit. Findsen ishte pezulluar nga detyra që në gusht 2020. Kur policia daneze e arrestoi, kishte më shumë se një vit që nuk e drejtonte aktivisht shërbimin.
Një rast tjetër interesant është ai i Ruandës.
Në qershor 2015, gjenerali Karenzi Karake ishte drejtori në detyrë i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe Sigurisë kur u arrestua në aeroportin Heathrow në Londër.
Pra, bëhej fjalë vërtet për një shef aktiv të inteligjencës që arrestohej. Por ka një ndryshim thelbësor: nuk e arrestoi shteti i tij.
Karake u ndalua nga policia britanike në bazë të një urdhër-arresti europian të lidhur me një çështje të drejtësisë spanjolle. Autoritetet e Ruandës, përkundrazi, protestuan kundër arrestimit të tij.
Kur kërkimi kufizohet vetëm te rastet kur një shef aktiv i inteligjencës arrestohet nga institucionet e vendit të vet, precedentët bëhen shumë më të rrallë.
Një prej rasteve që i afrohet më shumë vjen nga Uganda.
Në vitin 2005, brigadieri Henry Tumukunde, në atë kohë një prej figurave drejtuese të aparatit të inteligjencës, u vendos në arrest shtëpie nga autoritetet e vendit të tij. Sipas raportimeve, banesa e tij u rrethua nga dhjetëra ushtarë dhe më pas ai kaloi një periudhë të gjatë në ndalim.
Edhe ky rast, megjithatë, ka pak të përbashkëta me mënyrën se si është zhvilluar çështja në Shqipëri. Tumukunde ishte një gjeneral dhe çështja e tij u zhvillua në një sistem ku ushtria kishte një rol të drejtpërdrejtë, shumë larg një procedure si ajo mes SPAK dhe Gjykatës së Posaçme.
Një rast tjetër u raportua në Siri në vitin 2015. Ali Mamlouk, një nga njerëzit më të fuqishëm të aparatit të sigurisë së Bashar al-Assadit, thuhej se ishte vendosur në arrest shtëpie ndërkohë që vazhdonte të mbante postin.
Por historia mbeti e paqartë. Arresti nuk u konfirmua dot në mënyrë të pavarur dhe autoritetet siriane i kundërshtuan raportimet. Për këtë arsye, rasti i Mamlouk nuk mund të merret si një precedent i konfirmuar.
Krahasimet tregojnë se ajo që ka ndodhur me Hysenin nuk është pa asnjë precedent në botë, por është shumë larg të qenit diçka e zakonshme.
Nëse kërkon ish-drejtues të inteligjencës që janë arrestuar, gjen shumë. Nëse përfshin drejtues që ishin pezulluar përpara arrestimit, gjen edhe raste në Europë. Por kur flasim vetëm për një drejtues që është ende aktiv në krye të shërbimit sekret dhe ndaj të cilit drejtësia e vendit të vet vendos masë arresti dhe pezullim nga detyra, lista shkurtohet ndjeshëm.
Në Europë, të paktën mes rasteve të dokumentuara publikisht, është e vështirë të gjendet një precedent që përputhet plotësisht me atë që ka ndodhur në Shqipëri.
Kjo, natyrisht, nuk thotë asgjë për fajësinë ose pafajësinë e Vlora Hysenit. Arresti në shtëpi është masë sigurie dhe përgjegjësia penale, duhet të provohet gjatë procesit. Por si ngjarje institucionale, rasti mbetet i pazakontë.