AKTUALITET, 27 Tetor 2017, 10:29

Kokëdhima akuzon Ramën: Kryeministri i mafies së drogës dhe i varfërisë ekstreme

Kryetari i Partisë “ZGJDHJA”, Koço Kokëdhima, lëshoi një varg akuzash ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Edhe e krahasuar me vendet në rajon, Shqipëria është vendi më i kërcënuar nga skamja. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës, me drogë dhe korrupsion nga dalin miliarda për një grusht njerëzish dhe varfëri afrikane, për shumicën e popullsisë. Vetëm ZGJIDHJA në pushtet do ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe do t’i hapë rrugën zhvillimit”, - shkruan Kokëdhima në një status të publikuar në “Facebook”.

 

STATUSI I PLOTË

"Kryeministri i mafies së drogës dhe i varfërisë ekstreme të shqiptarëve

Ndërkohë që në përgjimet e Antimafias Italiane flitet për dhjetëra milionë euro drogë, të cilat janë hedhur për të blerë vota që Edi Rama të qëndrojë edhe 4 vite në pushtet, populli shqiptar po zhytet me shpejtësi në skamje dhe varfëri ekstreme. Banka Botërore, në raportin e saj të përvitshëm “Migration and Mobility” konstaton se në Shqipëri, pavarësisht se është një vend në Europë, varfëria ekstreme është një “normalitet”. Në vitin 2016, 40 për qind e shqiptarëve jetuan në varfëri ekstreme, ose shumë afër pragut të saj. BB përcakton, se individë në varfëri ekstreme janë ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë, kurse si të rrezikuar për të rënë në nivelin e varfërisë ekstreme janë ata individë, që jetojnë me nga 2 deri në 5,5 dollarë në ditë. Edhe e krahasuar me vendet në rajon, Shqipëria është vendi më i kërcënuar nga skamja. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës, me drogë dhe korrupsion nga dalin miliarda për një grusht njerëzish dhe varfëri afrikane, për shumicën e popullsisë. Ka ardhur koha, që vendi të shpëtojë sa nuk është vonë, nga kthetrat e mafies më të egër dhe më anti-humane që ka parë ndonjëherë vendi ynë. Vetëm ZGJIDHJA në pushtet do ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe do t’i hapë rrugën zhvillimit. #ZgjidhjaLuftëVarfërisë# (Tpz.al)