SPORT, 14 Nëntor 2017, 14:28

Nuk u kualifikuan për Kampionatin Botëror: Yjet e Italisë braktisin kombëtaren

Nuk u kualifikuan për Kampionatin Botëror: Yjet e Italisë

Dita e hënë ka qenë një ditë e zezë për kombëtaren italiane dhe gjithë tifozët e saj. Pas një barazimi pa gola me kombëtaren suedeze, për herë të parë në 60 vite, kombëtarja italiane humbi mundësinë për të qenë pjesë e kampionatit botëror Rusi 2018.

Por ndonëse ky dështim nuk u shoqërua me një dorëheqje të trajnerit Ventura, tre nga yjet e kombëtares e kanë parë të arsyeshme ta bëjnë një gjë të tillë. I pari ka qenë portieri dhe kapiteni legjendar i skuadrës, Gianluigi Buffon, i cili në një intervistë pas ndeshjes shpërtheu në lot.

Ai konfirmoi dorëheqjen e tij nga kombëtarja si dhe atë të De Rossi-t dhe Barzagli-t. “zhgënjimi më i madh i jetës sime”, u shpreh Andrea Barzagli duke pohuar largimin e tij nga kombëtarja.

Sakaq, Buffon përmendi edhe emrin e Chiellini-t si një largim potencial, mirëpo ky i fundit u shpreh se ende nuk e kishte vendosur një gjë të tillë dhe se ishte ende i paqartë. Sakaq mësohet se moskualifikimi për në botëror, Italisë do ti kushtojë 100 milionë euro.