AKTUALITET, 6 Janar 2018, 19:02

Mister dhe sekret, një tunel do të lidhë Byronë e Hetimit të zyrtarëve të lartë me Policinë

Mister dhe sekret, një tunel do të lidhë Byronë e Hetimit

Institucionet e reja të drejtësisë si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të vendosen në një godinë të re, vetëm pak metra larg Policisë së Shtetit. Burime konfidenciale nga qeveria thanë për Report TV se, SPAK dhe BKH do të vendosen në godinën ku ka qenë Ministria e Shëndetësisë. Personat që do të hetojnë zyrtarët e lartë për korrupsion dhe krimin e organizuar do të qëndrojnë në të njëjtën godinë.

SPAK dhe BKH do hetojnë zyrtarë dhe ish-zyrtarë e lartë. Mes personave që do hetohen nga këto dy struktura janë deputetë dhe ish-deputetë, kryebashkiak, ministrat dhe ish ministrat, por edhe një sërë drejtuesish të tjerë dhe politikanë karriere.

Plani për të vendosur SPAK-un në godinën ku ka qëndruar Ministria e Shëndetësisë është i mbuluar me mistere dhe mbahet sekret. Por Report TV mësoi se godina ku do qëndrojnë personat që do hetojnë zyrtarët e lartë do të lidhet me një tunel me Policinë e Shtetit. Është menduar që SPAK dhe Policia të lidhen ose me tunel nëntokësor, ose me tunel ajrorë.

Vendosja e SPAK, Byrosë së Hetimit dhe strukturave të reja të drejtësisë tek ish-ministria e Shëndetësisë, vetëm pak metra larg Policisë, është mbështetur edhe nga Ambasada e SHBA.