AKTUALITET, 6 Janar 2018, 15:32

Shpërthimi te “Tre Heronjtë”, shefi i financës te Patentat mohon konfliktet

Dalin detaje te reja nga shpërthimi i tritolit në oborrin e përbashkët të banesës së dy vellezerve Paja në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër.

Fran Paja është me detyrë shef i financës te drejtoria e Patentave në Shkodër. Në dëshminë e parë të dhënë në polici, fill pas ngjarjes, ai nuk ka mundur të japë shumë detaje. “Nuk kam pasur konflikte me ndokënd, nuk di se kush mund të këtë qenë dhe pse”- mësohet të ketë thënë ai.

Sipas informacionit paraprak nga Policia, thuhet se me datë 06.01.2018, rreth orës 02:00, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “Tre Heronjtë” Shkodër, në oborrin e përbashket të banesave të vëllezërve F. P. dhe M. P. është dëgjuar një shpërthim lënde plasëse.

Menjëhere kanë shkuar shërbimet e policisë ku kanë konstatuar se kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse, ku si pasojë e shpërthimit nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme të lehta materiale të mjetit tip Citroen me targë AA 505 BA.

Nga kqyrja paraprake e vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një fitil zjarrpërcjellës me gjatësi 8 cm.

Po kryhen veprimet me grup hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.